Ditën e djeshme 8 deputetë të parlamentit hollandez zbarkuan me mision faktmbledhës në Shqipëri, ku në përfundim pritet të kenë një opinion të qartë lidhur me fatin e çeljes së negociatave për Shqipërinë.
Pas takimit që patën me deputetët e PS-së dhe të PD-së, si dhe Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, deputetët u shprehën qartë se Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave.
Sipas tyre shqetësues mbetet niveli shumë i lartë i krimit të organizuar, trafiku i drogës, si dhe mosndëshkimi i politikanëve të korruptuar.
E megjithë deklaratën mjaft të qartë të deputetëve, Taulant Balla e ka gjetur fajtorin. Sipas tij faji është i Lulzim Bashës që shkoi i paftuar në drekën me deputetët.
“Më vjen keq edhe për një incident që ka ndodhur sot (dje), që ka të bëjë me një përfshirje në drekën e deputetëve, ndërkohë që sot në drekë është paraqitur edhe kryetari i Partisë Demokratike, që nuk ishte njoftuar më parë për të marrë pjesë. Në listë ishin nga tre deputetë nga mazhoranca dhe opozita, por Lulzim Basha në atë drekë, bëri atë që bëri dhe në Bundestag, është turp”– tha Balla duke nënkuptuar baltosjen e Shqipërisë nga ana e liderit të opozitës.
Ndërkohë vetë Basha dhe Rama nuk kanë thënë asnjë fjalë pas këtij takimi, dhe me gjasa do të na duhet të presim muajin qershor, që Holanda të konfirmojë pozicionin e saj final lidhur me fatin e vendit tonë.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post