Rikthimi i Shqipërisë në shinat e demokracisë, kurimi i plagës së eksodit dhe hartimi i një strategjie për rikthimin e trurit dhe rinisë në atdhe ishte kryefjalë e mesazheve që përcollën dy deputetët Konservatorë nga Britania e Madhe, Martin Vickers, njëherësh Anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Andrew Rosindell, njëherësh Kreu i Grupit Parlamentar Miqësor Mbretëri e Bashkuar- Ballkan gjatë një leksioni të hapur të mbajtur këtë të premte me të rinjtë e Shkollës Politike të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Dy ligjvënësit konservator Martin Vickers dhe Andrew Rosindell njohës të shkëlqyer të realitetit në Shqipëri, shprehën keqardhjen për të rinjtë shqiptarë që 5 vitet e fundit janë detyruar të marrin rrugën drejt ëndrrës angleze me gomone, sepse qeveria Rama i ekspozoi përballë varfërisë ekstreme, pasi e kishte pjesë të strategjisë largimin e tyre nga Shqipëria.
Ata vlerësuan potencialin e të rinjve të FRPD dhe të rinisë shqiptare, ku theksuan se fati i zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri do të varet nga angazhimi i të rinjve, që sot janë në rrethanat që duhet të mbrojnë pluralizmin që mundësuan prindërit e tyre në vitin 1990.
Dy deputetët konservatorë britanikë u shprehen se keqqeverisja dhe korrupsioni i Edi Ramës ka shpopulluar Shqipërinë dhe se PD është forca politike që do rikthejë bashkë me shpresën edhe të ikurit nga Shqipëria, duke implementuar politika mbështetëse për ta. Martin Vickers dhe Andrew Rosindell konfirmuan se PD në zgjedhjet e 11 Majit do ketë asistencën dhe mbështetjen e konservatorëve britanikë, teksa çmuan aksionet e ndërmarra nga të rinjtë e FRPD.
Një tjetër temë që u cek në këtë takim ishte vota e diasporës, ku kreu i FRPD Besart Xhaferri evidentoi se FRPD ka aktivistët e saj në diasporë që janë të angazhuar maksimalisht në takime dhe bashkëbisedim me mërgimtarët për ti bindur ata se vota është arma me të cilën mund të asgjësojnë keqqeverisjen.
Bashkë me dy deputetët britanik pjesë e këtij bashkëbisedimit me të rinjtë e Shkollës Politike të FRPD ishin edhe, Philippa Broom, ish-Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë për Partinë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, njëherësh anëtare e Bordit të Grave Konservatore si dhe Pierre Plumeajau Këshilltar i deputetit Andrew Rosindell.