Alev Korun, deputet i Parlamentit të Austrisë ka thënë për Reuters se ekziston dyshimi se deri në 2.5 milionë vota në referendumin turk mund të jenë manipuluar.
Deputeti iu referua gjithashtu edhe lëvizjes së organit qendror zgjedhor të Turqisë, i cili ka pranuar 1.5 milionë fletë votimi pa vulë dhe zarf si të vlefshme, vendim i cili u mor brenda ditës së votimit të referendumit.
“Në fakt, ligji lejon vetëm zarfet zyrtare të votimit. Autoriteti më i lartë zgjedhor vendosi megjithatë, si të thuash kundër ligjit, që zarfet pa vulë zyrtare duhet të pranohen”, -tha deputeti austriak, raporton Reuters.
Ai nuk ishte i pari që ka kritikuar votimin në Turqi.
OSBE që mbikëqyri referendumin tha gjithashtu se votimi i së dielës nuk plotësoi standardet ndërkombëtare, duke kritikuar vendimin e Komisionit Zgjedhor, i cili “ndryshoi ndjeshëm kriteret për vlefshmërinë e votimit, duke minuar një garanci të rëndësishme dhe në kundërshtim me ligjin”.
Presidenti turk Erdogan duke kundërshtuar raportin e OSBE, tha se “nuk e shohim, nuk e dëgjojmë dhe nuk do ta pranojmë” raportin e tyre, duke u thënë vëzhguesve ndërkombëtarë se duhet të “dinë vendin e tyre”.
Po ashtu partia pro-kurde PDP ka paraqitur disa ankesa për vota që potencialisht janë manipuluar në zonat lindore të Turqisë.(M.D/Shuplaka)