Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara në një intervistë për emisionin “Fol me mua” në “RTSH”, është shprehur se nuk do të lejojë që kryetari i PD-së, Lulzim Basha të vjedhë zgjedhjet brenda partisë.
“Refuzoj t’i quaj zgjedhje këto që do të bëhen brenda PD-së. Po të ishte garë e ndershme, jam i pari që do rreshtohem si ushtar i partisë së Bashës. Unë nuk kam pranuar vjedhjet e votave të Edi Ramës si kundërshtar , e jo më të pranoj të vidhen zgjedhjet në shtëpinë time”, u shpreh Cara.
Ndërkohë Deputeti i Durrësit, u shprehet se edhe diktatori Enver Hoxha vendimet e rëndësishme i merrte me njerëz të afërt dhe asnjëherë vetëm siç bëri Basha.
“Sali Berisha e ka mbledhur gjithmonë kryesinë sa herë ka pasur lista. Po si mund të ndodhi pas 27 vitesh demokraci, ku kam përshtypjen që Enver Hoxha dhe Nexhmija nuk i bënin listat vetëm pa patur një konsultë. Të më bësh një listë deputetësh dhe mos e paraqitësh në kryesi. Pse duhen fshehur listat. Ne jemi parti legale, nuk jemi parti komuniste”, tha Cara.
Deputeti demokrat ,në zgjedhjet e 25 qershorit u la jashtë listës së kandidatëve, kështu që ai do t’i mungojë parlamentit të ardhshëm. (S.SH/Shuplaka)