Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka paralamëruar masa të reja ndëshkimore për të gjithë deputetët që thyejnë karantinën.
Kreu i Kuvendit gjatë mbledhjes së kryetarëve ngriti shqetësimin se një deputet ka marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve online, nga një klub në Kamzë.
Ruçi u kërkoi kryetarëve të Komisioneve Parlamentare që të marrin masa ndaj çdo deputeti që marrin pjesë në mbledhjet online jo nga banesat e tyre.
“Kemi pasur një rast, nuk po e them se cili deputet ishte, që, megjithëse është marrë masa që klubet të mbyllen, lidhet online për një mbledhje të komisionit dhe jep mendimin e tij nga një klub në Kamzë. Në raste të tilla do t’ju kërkoja juve, si kryetarë komisionesh, se i keni të gjitha atributet që, në zbatim të Rregullores në situatë të zakonshme, aq më tepër në një situatë të jashtëzakonshme, ta përjashtoni nga mbledhja e komisionit cilindo nga deputetët që shkel masat dhe mos e lejoni futjen e tij në mbledhjet respektive për sa i përket kësaj çështjeje.
Në qoftë se në këtë seancë ne nuk zbatojmë në mënyrë strikte masat e vendosura deri më sot në sallën e parlamentit, seanca do të përfundojë në disko live dhe do të japim mesazhin më të keq të mundshëm. Në qoftë se mesazhi i të gjithë popullit shqiptar ka qenë i shkëlqyer dhe falë këtij mesazhi, këtij qëndrimi, këtij respektimi te këtij vullneti, këtij durimi, ne kemi këtë rezultat që kemi, atëherë salla e Kuvendit do të japë shembullin më të keq ndaj zgjedhësve të vet, prandaj këtë duhet ta kemi parasysh”, ka thënë Ruçi.