Prej kohësh kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka qenë pjesë e lajmeve në media, sa për akuzat për lidhjet e tij me krimin, për refuzimin e vizës nga Ambasada Amerikane, apo edhe pasurinë e tij marramandëse.
Dje ai ishte prezent në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ndërsa ka shmangur komentet për gazetarët në lidhje me refuzimin që i është bërë për t’u pajisur me vizë amerikane.
Gazetarët me nxitim kanë shkuar për ti bërë atij pyetjet, ndërsa deputeti socialist, Bled Çuçi, e ka marrë në “mbrojtje” duke i hequr sikletin e përgjigjes.
Dako dhe Çuçi janë shfaqur krah për krah në një nga korridoret e godinës dhe duket se pyetjet e gazetarëve kanë detyruar qoftë kryebashkiakun ashtu edhe deputetin që të hyjnë në një nga zyrat e kryesisë, duke iu shmangur në këtë mënyrë medieve.
Dako nuk ka pranuar të flasë fare para gazetarëve, ndërsa Çuçi ndoshta duke parë situatën në të cilën ndodhej kryebashkiaku, është përgjigjur “ju lutem se jemi me çështjet e buxhetit”.