Përveç deputetit Albin Kurti, ndaj të cilit Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër që të sillet me detyrim në seancën e sotme, edhe deoutetja Albulena Haxhiu, duhet të paraqitet për të njëjtin rast sot në gjykatë.
Për Periskopin Haxhiu ka deklaruar se nuk do të shkojë më në këtë Gjykatë për shkak se këtë rast e udhëheq i njëjti gjykatës (Beqir Kalludra), i cili ka dënuar katër aktivistët e VV-së për sulmin ndaj Kuvendi të Kosovës, dënim të cilin VV-ja e konsideron politik.
“Unë pata shku se mendova se duhet me u ballafaqu me ta. Por më nuk do të shkojmë. Është gjykatësi i njëjtë që ka dënuar aktivistët tanë. Ne tashmë jemi mësuar me këto veprime që kanë qëllim persekutimin e VV-së. Nuk do t’i nënshtrohemi një sistemi të kapur siç është ky shtetëror. Ky sistem vepron nën urdhrat e Klanit Pronto”, tha ajo.
Ndërsa, e pyetur se a ka informacione për vendndodhjen e Albin Kurtit, ajo tha se nuk ka, por sugjeroi se mund të jetë në banesë ose në ambientin e tij të punës, sikurse Donika Kadaj-Bujupi e Faton Topalli.
“Nuk kam asnjë informacion, besoj që secili prej tyre është në ambientet e punës, në shtëpitë e tyre, në Vetëvendosje në Kuvend. Ne asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi kësaj gjykate, e sidomos jo gjyqtarit Kalludra”, tha Haxhiu. (J.V/Faxweb)