Presidenti Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh sa i takon krizës politike në vend. Teksa ka takuar një grup studentësh dhe profesorësh nga trevat shqiptare, Meta është shprehur se i ka garantuar ata se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund, me qetësi.
Ky është reagimi i parë i presidentit Meta pas nismës së mazhorancës për shkarkimin e tij, që do të diskutohet këtë të enjte në Kuvend.
Ndëkohë që socialistët kanë nisur dhe mbledhjen e firmave të deputetëve për të kërkuar zyrtarish shkarkimin e Metës, që do të duhet të jenë 35 ligjvënës, ose ¼ e të gjithë anëtarëve që duhet të ketë Kuvendi referuar Kushtetutës. (Lexo edhe ketu)
Postimi i plotë i Metës:
Në këtë ditë të veçantë për kombin tonë, në 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, pata kënaqësinë e veçantë të zhvilloja një takim të ngrohtë e vëllazëror me një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, të Kolegjit Universitar AAB në Prishtinë.
I lumtur të ndanim qëndrimin se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Të bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur shpresat dhe për t’i hapur perspektivat rinisë, për të ndërtuar të ardhmen në vendet tona.
Lidhur me shqetësimin e tyre për zhvillimet në Shqipëri i garantova se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post