Ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda është ballafaquar Emiljano Shullazi me biznesmenin Ylvi Beqja. Në një moment të seancës del në skenë dhe emri i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja.
Shullazi tha se Ylvi Beqja i kishte propozuar të bëheshin ortakë në biznesin e riciklimit të mbetjeve spitalore, të cilin do ta merrnin nga ministri i atëhershëm, Ilir Beqja, që rezulton të jetë kushëri me biznesmenin Ylvi Beqja.
Shullazi ka vijuar më tej duke thënë se ai ka pasur dhe një takim me ish-ministrin, gjë që është mohuar nga biznesmeni Beqja.
BISEDA E ZBARDHUR:
Shullazi: Po për biznesin e riciklimit të mbetjeve spitalore, e mban mend propozimin që me ke bërë?
Beqja: Po, i kam propozuar një biznes të përbashkët për riciklimin e mbetjeve. Shullazi do të kishte një përqindje.
Shullazi: Ku do të drejtoheshe ti për atë biznesin?
Beqja: Në institucionet përkatëse.
Shullazi: Në çfarë institucioni pra?
Beqja: Në institucionet e shtetit.
Shullazi: Do të merreshe me mbetjet spitalore. Cili institucion i jep tenderët për atë lloj biznesi?
Beqja: Ministria e Shëndetësisë.
Shullazi: Kush e drejtonte atë?
Beqja: Një njeriu im, Ilir Beqja.
Shullazi: Ça e ke atë ti?
Beqja: Kushëri të tretë, a të katërt.
Shullazi: Jemi ulur ndonjëherë me këtë kushëririn tënd të katërt, unë ti dhe Ylli Alushi?
Beqja: Asnjëherë. Nuk ka ndodhur.
Shullazi: S’jemi ulur ë? Ai kushëriri i katërt thoshte ky do të bëhet ministër rendi dhe do të jeni rehat. E keni robin tuaj.
Beqja: Këto janë sajesa. Po përpiqesh të më intimidosh
(E.K/SHUPLAKA)