Procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë dështoi, pasi numër minimal i qytetarëve e shfrytëzuan të drejtën e votës.
13 mijë e 647 qytetarë në komunën e Leposaviqit kishin të drejtë vote, megjithatë, interesimi ishte tejet i vogël. Qendrat e votimit në këtë komunë u hapën me disa minuta vonesë për shkak të problemeve teknike.
“Në disa qendra ka nisur me vonesë, për shkak të vonesave të anëtarëve të këshillave për të ardhur në vendvotim, por kemi arritur t’i hapim”, u shpreh Zoran Stojanoviq nga KKZ.
Një prej qendrave të votimit mëngjesin e kësaj të diele e ka vizituar edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili foli edhe për bojkotin që qytetarët serbë, nën thirrjet e Listës Serbe i bënë procesit.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë, ata i shohin institucionet vetëm për vetën, jo për qytetarët”.
Me probleme teknike të herë pas herëshme u përcoll votimi edhe në Zubin Potok, komunë kjo që ka 6 mijë e 877 banorë me të drejtë.
“Na ka munguar lidhja e internetit për disa momente, disa probleme teknike, por është evituar”, tha Agim Krasniqi.
Interesimi i qytetarëve për të votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqirit ishte i ulët. E as vetë kryetari nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij të votës.
“Është hera e parë që nuk do të shfrytëzoj të drejtën për të votuar, arsyeja është se nuk dua të shkaktoj huti se a ka votuar kryetari pro apo kundër shkarkimit të kryetarit. Nuk do të dal fare”, tha Izmir Zeqiri, kryetari i Zubik Potokut.
Këtë të dielë, në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut u votua për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë. Të drejtë vote kishin 46 mijë 556 qytetarë. Për të pasur sukses ky proces duhen 50% +1 votë.