SHÇBA nis verifikim për disa punonjës polici të cilët dyshohet se dekonspiruan operacionin për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.
Dyshohet se kanë dështuar 13 operacione për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Vorës.
Pavarësisht se ndodhet në arrati Kajmaku ka apeluar masën e sigurisë ‘ arrest me burg’.
Masa ‘arrest me burg’ për Kajmakun është dhënë në mungesë, ish- kryebashkiaku u shpall në kerkim pak ditë më parë.
Ndërkohë mësohet se nënkryetarit të bashkisë së Vorës, Gentian Picarit, i është sekuestruar telefoni pak ditë më parë.
Kajmaku eshte vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për 3 akuza dhe tashmë ndaj tij ka edhe një masë sigurie “Arrest në burg” në mungesë.
Akuza që rëndon mbi Kajmakun është ajo e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të formularëve, dhe ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës.
Vora u kthye dhe në një arenë përplasjesh brenda vetë klaneve në PS, ku ministrja Belinda Balluku kërkoi që të vendoste në krye të Bashkisë Laureta Omerin, një nga nënkryetaret e saj të besuara, të cilën Kajmaku e shkarkoi ditën e fundit të qendrimit të tij në detyrë.
Përpara se KQZ ta shkarkonte, Kajmaku ka shkuar në zyrën e tij, dhe ka shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë: Muca dhe Laureta Omeri.
Në vend të tyre, ka emëruar vetëm një nënkryetar bashkie, shefin e tij të kabinetit, Gent Picari.
Në këto kushte, Këshilli bashkiak është i detyruar ta caktojë Picarin, të besuarin e Kajmakut, në krye të bashkisë.
Nga ana tjetër zgjedhjet në Bashkinë e Vorës mbahen peng nga ana e presidentit Meta, i cili njësoj si në rastin e Shkodrës nuk ka dekretuar një datë të re për mbajtjen e tyre, pasi nuk i njeh votimet e 30 Qershorit, nga ku doli kryetar dhe Kajmaku.