Jepen detaje të reja pësa i përket atentatit të ndodhur pak orë më parë në rrugën “Zef Jubani” në zonën e Tiranës së Re. Sipas të dhënave viktima Jurgen Kurti është qëlluar me një breshëri plumbash në hyrje të banesës së tij, nga persona ende të pa identifikuar.
Burime nga policia bëjnë me dije se 26 vjeçari është qëlluar nga një makinë tip “Mercedez Benz” në lëvizje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 të mbrëmjes ndërkohë që policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve.
Mendohet se shkak i atentatit mund të jetë e shkuara e ndërlikuar e Kurtit i akuzuar për disa vrasje, edhe pse viktima është liruar në mungesë provash. Jurgen Kurti me profesion menaxher vipash është akuzuar në 2017 për vrasjen e Agim Arapit, por që u lirua në munges të provave. Ai po ashtu u akuzua edhe për vrasjen e babait të tij, Artur Kurti, gjë për të cilën po ashtu u lirua pasi ngjarja u mor përsipër nga daja i tij.
Po ashtu pas këtij atentati i cili duket se ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e kësaj të hëne, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar edhe ish deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazmiri. Në postimin e tij, ndër të tjera Strazmiri duke iu drejtuar Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj shkruan:” Policia në drejtim të paditur…njësoj si vrasësit…”
Duke ironizuar këtë të fundit Strazmiri shprehet se: ”Po ti mos e vrit mendjen! Ti shih të kesh mjaftueshëm gaz helmues për gratë, pleqtë e fëmijët që do dalin në protestë të enjten në orën 09.30 para parlamentit “339”… pa siguria s’është detyra jote…”