Tropoja i është shtuar sot hartës së qyteteve me raste të koronavirusit në vendin tonë, ndërkohë që burime bëjnë me dije se dy personat e infektuar janë burrë e grua rreth të 40-tave.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se ata janë infektuar nga motra e gruas nga Italia, e cila fatmirësisht e ka kaluar sëmundjen pa shenja dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Burri është punonjës i shërbimit informativ në Tropojë, ndërsa gruaja është mësuese bën me dije kryetari i bashkisë Tropojë Rexhe Beberi.
Dy personat, pasi kanë pasur prej të paktën 5 ditësh shenja të sëmundjes kanë shkuar fillimisht në Urgjencën e Spitalit në Tropojë, ku më pas janë adresuar për të bërë edhe analizat.
Gjatë gjithë këtyre ditëve çifti ka pasur lëvizje në qytet, dhe nuk ka qenë i vetëizoluar çka shton frikën se ata mund ta kenë transmetuar virusin dhe te persona të tjerë.
Po ashtu analizave dhe testimeve pritet ti nënshtrohen edhe mjekët, të cilët kanë pasur kontakt me çiftin e bashkëshortëve, njëri prej të cilëve po mbahet në shtëpi, dhe tjetri është dërguar në spitalin Infektiv në Tiranë.
Një shqetësim që ngrihet në Tropojë është fakti që përgjigja e analizave ka vonuar të paktën për katër ditë, dhe kërkojnë që ato të bëhen në spitalin e qytetit dhe jo vetëm në Tiranë.
Kujtojmë se ka shkruar në 174 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri, ndërkohë që hartës me qytete të prekura i shtohet edhe Tropoja.
Sipas Eugena Tominit nga ISSH në 24 orët e fundit janë kryer 103 teste, nga të cilat kanë dalë pozitive 28 raste të reja. Tomini u shpreh se mes të prekurve janë edhe katër fëmijë, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar.
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme ndërroi jetë një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në spitalin Infektiv, në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator). Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçarja me hipertension, e shtruar prej 7 ditësh në spitalin Infektiv, nuk arriti të mbijetojë. 71-vjeçarja është viktima e gjashtë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar dhe prej tyre 3 raste jane ne terapi itensive 2 jane te intubuar
Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
(E.K/Faxweb.al)