Detaje të reja janë zbardhur nga përleshja me thika e shënuar në Rrushkull të Durrësit, ku janë përfshirë tre persona.
Mësohet se shtetasi Lulzim Qano, autori dhe viktima e sulmit me thikë, ishte person me probleme mendore.
Ai ishte marrë në punë në rezervatin e peshkimit për ta ndihmuar financiarisht. 40-vjeçari fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por pas transportimit në urgjencë ka ndërruar jetë.
Veç tij ka ndërruar jetë edhe shtetasi Yzedin Shollari 60 vjeç, i cili ndërhyri për të shuar sherrin, por nuk u ka rezistuar dot plagëve. Ndërsa Eduard Xhaferi rreth të 50-ave, ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e sulmit me thikë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 23.05.2017, rreth orës 13:20, jemi njoftuar nga urgjenca e Spitalit Rajonal Durrës se kanë shkuar të plagosur dy shtetas.
Menjëherë shkuan në Spital Efektivet e Policisë, të cilët konstatuan se ishin plagosur me mjet prerës thikë, shtetasit Y. Sh., rreth 60 vjeç dhe E. Xh. ,rreth 50 vjeç.
Nga veprimet hetimore paraprake dyshohet se në fshatin Rrushkull, shtetasit e mësipërm janë konfliktuar me shtetasin L.Q.
Konflikti ka qenë i çastit dhe ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit e mësipërm janë goditur me mjet prerës (thikë) me njëri-tjetrin.
Për pasojë shtetasi L.Q. ka ndërruar jetë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(XH.A/SHUPLAKA)