Policia e Vlorës në bashkëpunim me RENEA dhe forcat speciale arrestuan mëngjesin e sorëm në Vlorë 47-vjeçarin Xhevahir Jonuzi, i cili është dënuar me 25 vite burg për vrasje, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999.
Asokohe, Xhevahir Jonuzi në bashkëpunim me Anton Alliu kanë vrarë për motive të dobëta në 25 mars 1997 me armë zjarri kallashnikov (automatik) shtetasit Shezai Belaj dhe Shkëlqim Gurhanaj.
Jonuzi ndodhej prej disa vitesh në kërkim, ndërsa gjatë operacionit për kapjen e tij mëngjesin e sotëm ka qëlluar me armë në drejtim të policisë, duke iu rrezikuar jetën.
Në kundërpërgjigje, RENEA ka qëlluar në drejtim të Jonuzit duke e lënë atë të plagosur në këmbë, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë që gazetarja e Fax News në Vlorë, Afrovita Hysaj, raporton se Jonuzi është duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për ti nxjerrë plumbin nga këmba, ndërsa burime nga spitali thonë se ai është jashtë rrezikut për jetën.
Familjarët e 47-vjeçarit pretendojnë se shëndeti i tij është në rrezik, ndërsa policia ka rrethuar spitalin e Vlorës.
Në momentin e arrestimit Jonuzi ndodhej në banesën e të ëmës së tij në fshatin Hoshtimë, ku nuk kishte persona të tjerë veç mamasë së 47-vjeçarit.
”Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47 vjeçari Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.
Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë”, njofton policia.
Njoftimi i plotë i policisë:
Operacion policor për kapjen e një personi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni policor i koduar “Hoshtima”, zhvilluar nga Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me DVP Vlorë.
Në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, 47-vjeçari i kërkuar, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, hapi zjarr ndaj forcave të Policisë duke u rrezikuar jetën e tyre, por mbetet i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e pronave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, atyre në kërkim dhe që mbajë e qarkullojnë me armë zjarri, forcat speciale Renea, në bashkëpunim me DVP Vlorë, mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:05 kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hoshtima”.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.
Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47 vjeçari Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.
Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Ekipi i Reneas i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”.
Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
(E.K/Faxweb.al)