15 vjeçarja e cila u gjet e mbytur në Ksamil ndodhej aty me të ëmën, vetëm prej pak ditësh. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në plazhin e quajtur “Tre ishujt”, ndërsa dyshimi kryesor i policisë është se vajza adoleshente është përplasur nga ndonjë motor uji apo skaf detar.
Policia konfirmoi se viktima është shtetasja Ksenia Roik nga Shën Peterburgu. Trupi i saj u konstatua rreth 0.8 milje larg bregut.
Prokuroria ka nisur hetimet dhe deri më tani janë shoqëruar 35 drejtues mjetesh lunduese në Sarandë. Deri më tani raportohet se janë gjtur flokë në një nga mjetet lundruese që dyshohen se janë të vajzës. Prokuroria hetimet i ka nisur në dy pista.
NGJARJA
Rreth orës 13.00, një telefonatë është bërë në sallën operative të Policisë Kufitare në Sarandë. Një shtetas i identifikuar si Myrsel Ceta, ka informuar se: “përballë tre ishujve ndodhej një trup i mbytur”. Menjëherë është nisur skafi i policisë kufitare, ndërkohë që është nisur edhe grupi hetimor i Policisë së Rendit.
“Trupin e gjetëm mbi ujë. E nxorëm nga uji dhe e sistemuam në skaf. Pamë se vajza nuk kishte shenja jete. E nxorëm në breg. Atje priste ambulanca e Sarandës dhe grupi hetimor”,- u shpreh N.B., punonjës i patrullës së policisë kufitare të Sarandës. Me nxjerrjen nga uji, menjëherë trupi është dërguar në spitalin e Sarandës. Pas këqyrjes paraprakisht të kufomës trupi i 15-vjeçares do të transportohet për ekspertizë mjeko-ligjore në Tiranë, për faktin se ajo është shtetase e huaj. Mjeku i Qendrës Shëndetësore të Ksamilit, u shpreh se “vajza kishte shenja prerjeje në trup, në bërryl dhe në shpatullën e majtë”.