Grabitësit e Rinasit duket se kishin informacion të saktë, për mënyrën se si mund të futeshin lehtësisht në pistë. Zyrtarë të sigurisë së aeroportit të Rinasit, të marrë në pyetje pas grabitjes së 6.5 milionë eurove në 9 Prill, u kanë sqaruar hetuesve se kanë zbatuar rregullat e sigurisë dhe se grabitësit përdorën ato që quhen “crash doors”.
Sipas deklarimeve të këtyre zyrtarëve, këto dyer, të cilat u përdorën edhe nga grabitësit për të hyrë në aeroport, nuk janë të fortifikuara, pasi në raste avarie të rrëzimit të një avioni, makina e zjarrfikëses duhet të depërtojë në pistë, duke i shkatërruar këto dyer.
Nisur nga ky sqarim i zyrtarëve të TIA-s gjatë marrjes në pyetje, ngrihen dyshime të forta së grupi kriminal që realizoi grabitjen e dispononte një informacion të tillë. Admir Murataj së bashku me grupin e tij kanë shfrytëzuar pikërisht këtë mënyre për të realizuar grabitjen.
Zyrtarët e aeroportit pretendojnë se kanë njoftuar policinë, sapo konstatuan çarjen e derës dhe panë furgonin t’i afrohej avionit të linjës Tiranë-Vjenë. Ndërse policia nga ana tjetër ka deklaruar se informacionin e ka marrë nga burime të tjera dhe jo nga punonjësit e TIA-s.
Organi i akuzës po heton edhe mbi origjinën e jelekëve antiplumb dhe veshjeve ushtarake të përdorura nga grabitësit. Sipas burimeve në Tiranë janë vetëm 3 dyqane që mund të tregtojnë pajisje të tilla.
Nga grupi i hetimit thonë se kanë zbuluar gjurmë gishtash në furgonin që u përdor nga grabitësit në Rinas. Prokurorët besojnë se ekzaminimi i gjurmëve mund të çojë në identifikimin e autorëve të tjerë. Përgjigjia e laboratorit të policisë shkencore pritet të vijë brenda kësaj jave.
Burimi:Opinion.al