Për ngjarjen që ndodhi në Sarandë ku mbetën të plagosur 3 persona kanë dalë detaje të reja.
Antonio Shyti, Besim Xhafaj, Renald Canaj dhe A.Q kanë shkuar në lokalin në pronësi të Fisnik Musait dhe Diomed Musait, kushërinj me njëri-tjetrin.
Sipas “Panorama” pasi kanë debatuar për disa minuta brenda në lokal, të gjashtë këta persona kanë dalë për të diskutuar në ambientin e parkimit, ku sherri është përshkallëzuar në shkrehjen e armëve të zjarrit.
Por menjëheë është njoftuar policia e cila pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë gjetur të plagosur Fisnik Musain, 35 vjeç, banues në Sarandë, Antonio Shyti, 37 vjeç, banues në Tiranë dhe Besim Xhafaj, 26 vjeç, banues në Dibër.
Si ndodhi ngjarja?
Fillimisht, ata janë transportuar drejt urgjencës “Stefan Mekshi” të Sarandës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore pas plagëve me armë zjarri të llojit pistoletë, ndërkohë që Shyti e Xhafaj janë dërguar me autoambulancë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, për shkak të plagëve të rënda.
Ndërsa, Fisnik Musai është jashtë rrezikut për jetën dhe ka marrë një plumb në kofshë. Përplasja me armë ka nisur si shkak i një konflikti fizik për motive të dobëta që ka si zanafillë një sherr të ndodhur një javë më parë në të njëjtin vend. Policia ka shoqëruar në Komisariat 8 shtetas, që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërkohë që ka kryer dhe kontrolle banesash.
Nga hetimet e Policisë u bë e mundur zbulimi i vendndodhjes së njërit prej autorëve, pikërisht Renald Canaj, i cili është kapur në Fier. Gjatë kontrollit të banesave të Renald Canajt dhe A.Q., Policia ka zbuluar disa fishekë pistolete, lëndë narkotike të llojit “cannabis sativa” dhe disa telefona të markave të ndryshme.
Pas hetimeve paraprake, Policia ka bërë arrestimin e Renald Canajt, ndërkohë që janë shpallur në kërkim A.Q dhe Diomed Musai. Policia po zhvillon hetime paralele edhe për një ngjarje tjetër, të ndodhur në të njëjtin vend, por një javë më parë.
Dy shtetas, të cilët dyshohet të kenë lidhje me Shytin, Xhafajn, Canajn dhe A.Q., plagosën me sende të forta 30-vjeçarin Diomed Musai, bashkëpronar me 35-vjeçarin Fisnik Musa në dy biznese, në Sarandë.