Një tjetër grabitje nën kërcënimin e armëve është kryer mbrëmjen e djeshme në lagjen numër 1 të Librazhdit.
Mësohet se autorët që kanë qenë disa kanë marrë në banesën e shtetasit Kujtim Albrahimi një sasi të konsiderueshme parash dhe disa bizhuteri. Albrahimi është mjek gjinekolog, dhe mjaft i njohur në qytetin e Librazhdit, pasi ka pritur një numër të madh fëmijësh në vite.
Faxweb.al mëson se sasia e parave të grabitura është 10-12 milionë lekë të vjetra, ndërsa ka pasur dhe një përleshje mes familjarëve dhe grabitësve, ndërsa mjeku Albrahimi dhe bashkëshortja e tij kanë pësuar lëndime të lehta.
Derimë tani për ngjarjen janë shoqëruar 13 persona, mes tyre dhe një elektriçist nga Fushë-Kruja.
I shoqëruari është 36-vjeç me inicialet E.T banues në lagjen punëtori të Fushë-Krujës, dhe dyshohet se familja e mjekut i ka pasur disa fatura të papaguara për punimet që janë kryer në banesën e tyre.
Kjo është grabitja e disatë në ditët e fundit, ndërsa fenomeni vijon të frikësojë familjet shqiptare, ku në zonën e fshatrave të Vlorës, banorët janë shprehur se qëndrojnë roje natën, për shkak se numri i grabitjeve i ka kaluar 100.
Njoftimi i policise per ngjarjen:
Gjatë natës në lagjen nr 1, Librazhd, persona ende te paidentifikuar, dyshohet nën kërcënimin e thikës, kanë marrë në banesën e shtetasit K.A, një sasi lekësh dhe disa bizhuteri.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(E.K/FAXWEB.AL)