Grabitja e bankës BKT në zonën e ish-Blloku në Tiranë më 8 gusht 2016, prokuroira dërgon në gjykatë dy autorët e dyshuar.
Stetasi Roland Liti akuzohet se ka kryer veprat penale “vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, si dhe Alan Babameto i akuzuar për “vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda.
Njëri prej autorëve ka hyrë brenda ambienteve të dhomës kasafortë të bankës dhe ka marrë nëpër raftet metalike shumën e rreth 190.000.000 lekëve. Autorët më pas janë larguar nëpërmjet dy vrimave, të cilat ishin hapur më parë, shkruan “Panorama”
Nga pamjet filmike të bankës, veprimet e autorëve janë kryer në datën 05.08.2016 (e premte) dhe 06.08.2016 (e shtunë). Në këto pamje tregohet vetëm momenti kur autorët dalin nën rrezen e kamerës, në korridorin e katit përdhes të bankës, ku ndodhej dhe kasaforta, si dhe veprimet e autorit kur ka hyrë në dhomën kasafortë.
Bazuar në kontrollin e ambientit rrethues të bankës rezulton se autorët kanë ndërruar fishekun e derës së ish pabit dhe që aty kanë hyrë brenda. Fillimisht kanë shkuar dhe kanë vepruar në faqen e një muri dhe më pas, pasi kanë hasur në beton, e kanë lënë atë dhe kanë shkuar në faqen e murit prej tulle, ku kanë hapur një vrimë, nga e cila mund të hynte lirshëm një trup njeriu.Pasi kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës, ku ishte edhe dhoma kasafortë, kanë vepruar me mjete pune (çekiç, daltë, kriko) te muri prej betoni i dhomës kasafortë. Veprimin përfundimtar ata e kanë kryer në datën 06.08.2016.
Në ambientin e pabit janë gjetur sende të lëna nga autorët si leva hekuri, kriko automjeti, pllaka metalike, tuba metalikë, bidonë uji, një fishek brave i thyer. Në ambientin e dhomës kasafortë është gjetur një tub plastik, i cili ka në fund të tij të ngjitur me izolant të bardhë një pasqyrë (besohet se është përdorur gjatë hapjes së vrimës në mur për të parë ku ishte dalja). Banka ka sistem kamerash dhe sensorë, gjithashtu edhe dhoma kasafortë nga brenda ka sistem sensorësh.
Nga goditjet që kanë bërë autorët natën e së premtes dhe së shtunës, sensorët kanë dhënë alarm te telefoni i drejtorit të bankës, te përgjegjësi i sigurisë së bankës, te drejtoresha e operacioneve, te SHPFS dhe te salla e sigurisë në drejtorinë e përgjithshme të bankës.
Ditën e premte në datën 05.08.2016, pas marrjes së sinjalit ka shkuar në bankë drejtori i bankës dhe pasi nuk ka konstatuar gjë është larguar. Ditën e shtunë ka rënë sinjali i sensorit të kasafortës dhe aty ka ardhur drejtori i bankës e përgjegjë- si i sigurisë së kësaj banke. Kjo dallohet edhe në pamjet filmike, ku ky i fundit pasi është futur në ambientet e bodrumit dhe të dhomës kasafortë ka kontrolluar, por nuk ka konstatuar gjë.
Në datën 06.08.2016, rreth orës 05:00, i ka rënë përsëri alarmi në telefonin e tij, por duke pasur shpeshherë sinjale të rreme e ka mbyllur atë. Të nesërmen ai ka marrë në telefon shefin e sigurisë së brendshme dhe e ka njoftuar për këtë sinjal të natës së kaluar. Pas kësaj, të dy së bashku rreth orës 10:00 të datës 06.08.2016 kanë shkuar te filiali i bankës dhe kanë hapur derën e kësaj banke. Më pas janë futur brenda dhe kanë shkuar në bodrumin e bankës ku ndodhet dhoma e kasafortës dhe nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi. (S.SH/SHuplaka)
Discussion about this post