Detaje të reja dalin në dritë nga ekzekutimi që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Rrogozhinë, ku i gjet i vdekur brenda mjetit të tij 33-vjeçari Klevis Kapllani. Dyshimet e grupit hetimor janë se Kapllani të jetë i përfshirë në vrasjet e ndodhura në Elbasan dhe në Peqin.
Mësohet se në datën 12 shtator viktima ka komunikuar me persona të paidentifikuar të cilëve u ka lënë makinën deri në datën 14. Një ditë më vonë ai u gjet i pajetë pikërisht në këtë mjet, i qëlluar me 13 plumba kallashnikovi.
Faxweb.al raportoi dje se pas vrasjes janë marrë në pyetje nëna, babai dhe nusja e Kapllanit, ndërkohë është shoqëruar në komisariat si i dyshuar shtetasi me inicialet F.TH. Ky i fundit është marrë në pyetje pavarësisht se deri më tani nuk ka prova të konfirmuara zyrtarisht që e përfshijnë në ngjarje.
Nga ana tjetër ka dyshime por ende jo të konfirmuara zyrtarisht se Kapllani merrej me trafik droge edhe në Shqipëri, ku është kthyer 2 vite më parë pasi ka kryer dënimin për trafik narkotikësh edhe në Itali. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri tip pistoletë dhe një aparaturë celulare pa kartë brenda.
Mësohet po ashtu nga burime kofidenciale brenda organeve të hetimit, se Kapllani përdorte vetëm internetin në celularin e tij marka Iphone, ndërsa bisedat i zhvillonte përmes celularit të bashkëshortes. Zbardhja e plotë e tabulateve telefonike pritet të hedhë më tepër dritë mbi ngjarjen.
(E.K/Faxweb.al