Vetëm pak orë kanë kaluar nga ngjarja e rëndë që tronditi Ksamilin këtë mbrëmje, dhe detaje të reja janë zbuluar mbi vrasjen e Agron Xhezairit.
Mësohet se personi, apo personat që i kanë bërë atentat 53-vjeçarit, kanë zënë pritë para banesës së tij dhe e kanë pritur derisa ky i fundit të kthehej në banesë.
Policia beson se autorët e krimit janë fshehur tek një ndërtesë e pabanuar dhe e kanë qëlluar 53-vjeçarin me automatik, kur e kanë parë të mbërrinte në shtëpi, më saktë sapo ka filluar të ngjisë shkallët.
Kur autorët kanë parë që Xhezairi ka tentuar të hyjë në banesë, ata kanë shtënë sërish duke e lënë të vdekur. Mësohet se e gjitha kjo ka ndodhur përpara syve të kunatës së Xhezairit.
I ndjeri është babai i Albi Xhezairit, 20-vjeçari i shumëkërkuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit, vëllai i ish-kreut të njësisë administrative të Kaçanikut, krim i ndodhur më 24 shtator në Shëndëlli.
Rreth 2 muaj më parë, Xhezairi i shpëtoi një atentati me bombë të telekomanduar në makinë, por nuk arriti dot t’i shpëtonte edhe një atentati të dytë.