Babai i Klement Pepajt, Nush Pepaj, nga fshati Vrith i Malësisë së Badhe, ka treguar për gazetarin e Fax News Fatjon Gjinaj detaje për të birin e zhdukur prej datës 3 Tetor, për të cilin kërkimet vijojnë ende. Ai dyshon se Klementi është ekzekutuar.
Teksa tregon se si i kishte marrëdhëniet me Danjelin dhe Vilsonin, edhe këta të zhdukur, i parë djali i xhaxhait të Nushit dhe i dyti djali i dajës, ai dyshon se i biri mund të jetë përfshirë në ndonjë konflikt pët narkotikët, ndërsa thekson se i biri nuk i kishte treguar asgjë.
Klementi, i kthyer nga Zvicra, pasi kishte bërë 8 muaj burg për mosbindje ndaj policisë, ishte ekstraduar, dhe me ardhjen në fshat, kishte hapur një lokal të vogël dhe merrej me të. Pavarësisht se kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, Nushi tregon se i biri nuk i tregonte gjithçka.
Sipas tij, Klementi shkonte mirë me Vilsonin dhe Danjelin, pavarësisht se vëlla i Vilsonit, Olsi që ka bërë edhe denoncimin për zhdukjen e të vëllait, e kishte përzënë një ditë nga shtëpia e tij vetë Nushi. Burime i thanë Fax News, se Vilsoni me Danjelin kanë pasur një konflikt me njëri-tjetrin, ndërsa Klementi ka ndërhyrë mes tyre pikërisht ditën kur është zhdukur.
“Unë nuk i kam parë ndonjë bollëk leku, jo se i kam kontrolluar ndonjëherë xhepat, që të konstatoja se mund të ishte marrë me ndonjë gjë të paligjshme. Nëse gjërat i ka bërë jashtë fshatit edhe mundet, se me djemtë që ka pasur këtu ka pas marrëdhënie shumë të mira. Nuk kam futur njëherë në shtëpi, njerëz që nuk i njihja. Policia duhet të ndërhyjë më me forcë në këtë zonë, edhe pse e shoh që bëjnë kërkime.
Ka qenë në Francë, ka qenë në Zvicër, nga aty më pas më duket se e kanë ekstraduar, por nuk më ka thënë nëse e kanë ngatërruar me gjë. Djalin do ta kërkoj sa të gjendet, shteti të ndërhyjë sa më shumë, të gjejë të gjitha lidhjet e tij, unë dyshoj se ai është i vramë. Më hyri frika për vrasje, pasi ka pasur konflikte më parë me kushërinjtë e tij. I ka bërtit me mos me bë zhurëm kushëririt të tij”, u shpreh babai i Klement Pepajt.
Danjeli ka marrë 2 kushërinjtë dhe i ka dërguar në mal ku edhe dyshohet se janë vrarë. Nga ana tjetër, Nushi thotë gjatë intervistës se Klementi kishte pasur një mosmarrëveshje me Vilsonin për shkak se ky i fundit ngacmonte persona kryesisht femrat në lokalin e Klementit por që sipas tij, nuk besonte se ishte e agravuar situata mes tyre pasi gjërat ishin sheshuar.
Një fshatar i zonës i tha Fax News se deri para disa ditësh askush nuk guxonte të hynte në zonat malore prej frikës së personave që ruajnë parcelat e kanabisit. Deri mesditën e datës 4 Tetor, njërit prej të zhdukurve, Vilsonit, telefoni i ka dalë ndezur dhe vendodhja e tij ka qenë në Razëm dhe po ashtu Klementit i ka dalë në Ramëz. Nga ana tjetër, fshatarë të ndryshëm thonë se të shtënat me armë nuk janë gojëdhëna por janë dëgjuar.