Detaje të reja dalin në dritë nga aksidenti që ka ndodhur pak para mesnatës në zonën e ‘Bishtit të Zhurit’ në afërsi të Rrogozhinës, ku një 46-vjeçar humbi jetën për shkak se mjeti i tij doli nga rruga pas përplasjes me trafikndarësen. Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se viktima është Arjan Fesko, me vendlindje në Prizren dhe me dokumente të rregullta angleze.
Mësohet se ai ishte duke lëvizur me mjetin e tij nga Durrësi për në Jug të vendit, i vetëm, kur ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Fesko ka qenë biznesmen në fushën e transporteve, pasi kishte një shoqëri që transportonte persona dhe mallra nga Anglia drejt Shqipërisë.
Burimet saktësojnë se shkak për aksidentin e rëndë ka qenë shpejtësia me të cilin mjeti që drejtohej nga 46-vjeçari po udhëtonte, lagështira në rrugë, por edhe errësira në zonë, që për viktimën nuk ishte e njohur.
Siç shihet dhe në pamjet e siguruara nga Faxëeb.al makina me të cilën Fesko po udhëtonte ka pësuar dëme të mëdha si pasojë e përplasjes, ndërsa trupi i tij ka mbetur për disa minuta i bllokuar brenda mjetit, deri sa kanë mbërritur zjarrfikësit për nxjerrjen e tij.
Njoftimi i Policisë për aksidentin: Me datë 29.12.2020, rreth orës 23:20, në vendin e quajtur “Bishti i zhurit”, mjeti me drejtues shtetasin A.F., ka dalë nga rruga. Si pasojë e daljes nga rruga ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i mjetit shtetasi A.F., 46 vjeç.
Vijon puna me grupin hetimor dhe sherbimet e policisë për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes .
(E.K/Faxweb.al)