Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Elbasan ku një 34- vjeçare ka humbur jetën pasi ka abortuar. Gruaja e identifikuar si Etleva Çullhaj , dy muajshe shtatzënë , gjithashtu nënë e dy fëmijëve të tjerë, përkatësisht 10 dhe 14 vjeç ka shkuar në maternitetin e Elbasanit një ditë më parë për të abortuar dhe pasi e ka kryer atë është larguar për në banesë.
Gjatë pasdites, konkretisht rreth orës 18:00 ajo ka nisur të shfaqë komplikacione shëndetësore e për pasojë ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën. Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për dy mjekët të cilët asistuan në procedurën e abortit konkretisht mjekut gjinekolog Arben Paralloi 56 vjeç dhe Behar Gjevori 60 vjeç, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit bëjnë me dije se gruaja ka qënë e detyruar të kryej abort pasi foshnjës në bark i kishte ndalur zemra, të paktën sic dhe kanë deklaruar mjekët kur janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Gjithësesi të paqarta mbeten rrethanat e kësaj ngjarje përsa kohë bashkëshorti i viktimës vuan dënimin në një nga burgjet e Greqisë, çka shton dyshimet se vendimi për të abortuar ka qënë i detyruar për nga rrethanat dhe jo nga arsyet shëndetësore.
Do të jetë ekspertiza mjeko ligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet e sakta të rrethanave që sollën komplikacione tek nëna e dy fëmijëve lindur në Tiranë dhe banuese në lagjen “5 maji “ në Elbasan.
Në gjithë këtë proces mësohet se 34- vjeçarja shoqërohej nga një shoqe dhe nga asnjë i afërm tjetër. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.