Detaje të reja kanë dalë në dritë nga zhvatja që iu është bërë dhjetra pacientëve në një spital në Tiranë, ku infermierja Elisabeta Bardhollari u merrte atyre kartat e identitetit dhe më pas merrte kredi në emër të tyre.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se Bardhollari punonte në spitalin numër 5 në Tiranë, dhe pacientët ishin persona që kishin kryesisht probleme me shëndetin mendor. Ajo bashkëpunonte me shitëse Orjad Hoxha e cila punonte në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Porcelanit, dhe pas blerjes me kredi të paisjeve i rishisnin ato duke përfituar shuma të mëdha parash.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se dëmi që iu është shkaktuar pacientëve është më shumë se 40 milionë lekë të reja, ndërkohë që të dyja mashtrueset janë vënë në pranga.
Nga ana tjetër policia ka proceduar një person të tretë, i cili bënte dhe transportin e paisjeve elektroshtëpiake jashtë dyqanit.
Policia thotë se po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Ndërkohë që ky rast është një kambanë alarmi për sigurinë e të dhënave të qytetarëve, të cilët mashtrohen dhe zhvaten dhe në situata të tilla delikate siç janë ato të problemeve me shëndetin e tyre.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar operacioni policor i koduar “Elektro”.
Iu vidhte kartat e identitetit pacientëve në spital, për t’i përdorur për kredi, vihet në pranga infermierja.
Në pranga edhe shitësja e një dyqani, e cila merte kredi në emër të pacientëve, për të blerë pajisje në dyqanin ku punonte.
Sekuestrohen pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Elektro”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetaseve: E. B., 39 vjeçe dhe O. H., 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. H.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasja E. B., e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte shtetases O. H., e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake Shtetasja O.H. i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H. dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.
(E.K/Faxweb.al)