Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Gjilanin, ku një zyrtare e policisë ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj, dhe më pas edhe veten.
Ka qenë policia e Kosovës ajo që ka dhënë njoftimin zyrtar për ngjarjen, ku autorja V.B ka vrarë dy prindërit e saj, dy vëllezërit dhe më pas veten.
Mediat në Kosovë shprehen se policja kishte pak kohë që ishte liruar nga detyra, dhe punonte si civile, gjë e cila bën të mendosh se krimi nuk është kryer me armën e saj të shërbimit.
Njoftimi i policisë së Kosovës:
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.
Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë. Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë.
(E.K/Faxweb.al)