Pas vrasjes së Vangjel Cikos në Ksamil mbrëmjen e djeshme, Policia jep detajet më të fundit në lidhje me atentatin. Ciko është gjetur i vrarë brenda në automjetin tip ”Mercedes Benz”, në oborrin e banesës së tij.
Policia thotë po ashtu se ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe janë angazhuar shërbimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 19.08.2017, rreth orës 23:50, Salla Operative Sarandë ka marrë njoftim se në lagjen “Baxho”, në Ksamil, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe nga verifikimi paraprak kanë konstatuar se brenda në automjetin tip ”Mercedes Benz”, në oborrin e banesës së tij, është gjendur i vrarë me armë zjarri nga persona të paidentifikuar, shtetasi V.C., 50 vjeç, banues në Ksamil.
Policia ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe janë angazhuar shërbimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Grupi hetimor po vazhdon kryerjen e hetimeve për zbulimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si edhe për kapjen e autorit.
SERIA E HAKMARRJEVE:
Hakmarrje pas hakmarrje, kjo është pista kryesore e hetimit për vrasjen e ndodhur gjatë natës së sotme në Ksamil. Në një atentat që u bë rreth mesnatës mbeti i vrarë 50 vjeçari Vangjel Çiko, i njohur edhe me pseudonimin Gelo.
Po emri i tij nuk është i panjohur në zonë dhe për policinë. Kjo pasi mësohet se Çiko është babai i Dhimitër Çikos, i cili ndodhet në burg për vrasjen e Aleksander Bardhit, 47-vjeç, i ekzekutuar me 24 shtator 2016 në fshatin Shendelli.
Bardhi, vëllai i Petrit Bardhit, ish-kryeplak i Shëndellisë dhe ish-administrator i Kaçinarit në Mirditë, dyshohet se u vra nga Albi Xhezairi (i shpallur në kërkim), Dhimitër Çiko dhe Amarildo Lame.
Fill pas kësaj vrasje, një sërë ngjarjesh të tjera rrodhën më pas, siç ishte edhe ngjarja e 12 dhjetorit 2016, ku në Ksamil u vra Agron Xhezairi, 53-vjeç, babai i Albi Xhezairit. Atij më parë i ishte bërë atentat me eksploziv.
Edhe vrasja e Xhezairit dhe e sotmja e Çikos dyshohet të jenë seri hakmarrjeje për vrasjen e Aleksandër Bardhit. Sa kohë që ngjarjet mbeten ende të pazbardhura, pyetja që ndrihet është se kush do të jetë viktima e rradhës?!