E ftuar në studion e lajmeve të Fax News, pasditen e kësaj të premteje ishte deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, e cila vendimin e djeshëm të Bundestagut gjerman në linjën e 9-të kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria, nuk e sheh si një pengesë për procesin e integrimit, por si një stimul për të ecur përpara.
Ajo tha se kriteret e kërkuara nga ligjvënësit gjermanë, duke përmendur edhe debatet e mbrëmshme në Bundestag, nuk janë kushte, por detyra shtëpie duke argumentuar se situata në të cilën ndodhemi kërkon harmonizimin e qëndrimeve politike, bashkëpunimin dhe instensifikimin për të arritur objektivat e kërkuara.
“Falenderojmë Bundestagun për vendimin. Nuk janë kushte por një program pune dhe integrimi në Europë, është sfida më e madhe e shqiptarëve. Ata kanë bërë një skanim real të gjithë gjendjes politike në vend të cilat edhe vetë ne i diskutojmë dhe komentojmë çdo ditë.
Nëse i mendojmë si pika që mbështetet gjithë ecuria në këtë proces, besoj se janë disa kritere që do të na ndihmojnë të orientohemi drejt integrimit europian. Gjithçka që është diskutuar dhe renditur nga Bundestagu, nuk i shoh si kushte por si sfida dhe detyra që duhet t’i bëjmë të gjithë bashkë.
Duhet të ulemi dhe të diskutojmë se çfarë duhet të bëjmë të gjithë për të arritur integrimin që na prek dhe shërben të gjithëve. Duhet ta bëjmë sot ndryshe brezat do të na ndëshkojnë dhe dënojnë. Ato çfarë parlamentarët gjermanë listuan, duhen bërë të realizueshme.
Kushtet Bashkimi Europian i ka si kriter për vendet të cilat duhet të bëhen pjesë e saj. Natyrisht që kushtet janë një sfidë për qeverinë shqiptare por edhe për të gjithë së bashku gjithashtu, edhe opozitës i lindin përgjegjësi po ashtu”, tha Gjermeni
Duke folur për tre kushtet shtesë që propozuan të gjelbrit në Bundestag, Gjermeni tha se duke marrë parasysh kërkesat e shumta të qytetarëve nisur edhe nga modeli që shikojnë nga vendet perëndimore me të drejtë, i kërkojnë gjërat shpejt ndërsa është e kuptueshme dhe e pranueshme që të mos jenë vetëm 9-të kushte por edhe më shumë se aq. Kjo është një arsye më tepër për t’u ulur me të dyja opozitat për të realizuar sipas saj objektivat integruese të vendit.
Gjermeni dha edhe një opinion mbi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe rrethanat në të cilat ndodhën.
“Zgjodhëm atë çfarë kushtetuta na sugjeroi për ata që do të na qeverisin në nivelin vendor. Të gjithë do të ishim të kënaqur sikur opozita të kishte marrë pjesë. Zgjedhjet ishin të qeta dhe nuk patën problematika, ndërkohë që Gjyakata Kushtetuese mund të jepë versionin e saj”
“Besoj shumë se me finalizimin e procesit të Reformës në Drejtësi, kushti për realizimin e objektivave të kësaj reforme do të arrihet i plotë. Ka ardhur koha të ndahemi nga pjesa e akuzave për krimet zgjedhore, sepse diçka e tillë bie mbi shpatullat e shumë përfaqësuesve politik në vend. Por shpresoj që me implementimin e reformës zgjedhore ti japim fund edhe krimit elektoral. Reforma Zgjedhore është e domosdoshme”, shtoi deputetja e majtë në Fax News.
Ajo u pyet nga gazetari Enea Meksi edhe për qëndrimin e një prej ligjvënësve gjerman ku tha se se çështja “Tahiri” nuk mund të hedh hy syve të ndërkombëtarëve.
“Mendoj se duke respektuar mendimin e një deputeti gjerman, Kuvendi dhe angazhimi për Reformën në Drejtësi është maksimal, dhe besoj se do të realizohet nga organet e reja. Edhe procesi i Tahirit është shqyrtuar nga gjykata dhe është në proces ndaj nuk mund të flasim për ecurinë e tij. Ne japim garancinë dhe them se e kemi arritur pasi nuk ka pasur asnjë ndërhyrje politike. Është një vendim që e ka marrë gjykata në bazë të kushteve dhe hetimeve që ka kryer”.
A keni sot opozitë në Parlament?
Gjermeni: Kemi opozitë në Parlament, po, kemi opozitën e re. Erdhi një opozitë e re që ishte pjesë e listave të dy partive më të mëdha në opozitë, për të shprehur vullnetin e qytetarëve që i kanë votuar. Minimalisht duhen respektuar përgjegjësitë para tyre.
Mbase nuk kanë pjekjen dhe përvojën e duhur, por ata diskutojnë, propozojnë dhe kundërshtojnë. Sjellin projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve shqiptarë.
Ka ligje apo projektligje që ata nuk i votojnë sepse ashtu mendojnë dhe ashtu i shohin. Kjo është e drejtë e tyre por edhe angazhim i tyre politik që marrin vendime dhe bëjnë zgjedhjen e tyre.
Për Reformën Zgjedhore, Gjermeni shtoi:
“Ky është një proces që e ka udhërrëfyesin e vet që është OSBE-ODHIR dhe të gjitha palët duhet të bëhen pjesë e saj”.
Një koment deputetja e dha edhe për situatën në vend pas tërmeteve dhe përmbytjeve të ndodhura ditët e fundit, ku përmendi edhe disa nga dëmet e shkaktuara prej tyre në zonën ku edhe është deputete.
“Fatkeqësisht banorët e qarkut të Durrësit u prekën edhe nga tërmetet por edhe nga përmbytjet më pas, sidomos në Krujë, ku familje në fshatra apo njësi administrative janë dëmtuar rëndë nga përmbytjet pasi uji u është futur brenda shtëpive.
Por edhe dhjetra banesa janë dëmtuar nga tërmetet. Por nga ana tjetër, strukturat e ngritura kanë zbarkuar në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat për dëmshpërblimin e tyre që do të ndiqen hap pas hapi”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)