Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ritheksoi se pengesa e vetme që shqiptarët të mos bëhet pjesë e familjes europiane, mbetet qeveria.
Sipas saj, kjo legjislaturë e 10-të mbyllet me një “stok” detyrash të parealizuara dhe një sërë problematikash të tjera.
“37 nisma deputetësh për të diskutuar që kanë fjetur në sirtar për 12 vite, 26 institucione e mbyllin këtë legjislaturë si asnjëherë më parë, pa raportuar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar, duke nisur nga ai për Teatrin Kombëtar e deri te mandati i një deputeti të mazhorancë.
A është gati Shqipëria për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për institucione demokratike, për kontroll dhe balancë shteti, të zbatojë vendimet e gjykatës pa i diskutuar. Përgjigja është dhënë po në raportin e Komisionit Europian, në raportin e grup-kapitullit të parë, pengesa kryesore për integrimin e shqiptarëve nuk ka qenë dhe nuk do jetë opozita. Pengesa kryesore është qeveria!
Po e mbyllim këtë legjislaturë me numrin më të lartë të detyrave të papërmbushura, pa një reformë të plotë gjithëpërfshirëse. Kuvendi i Shqipërisë është moszbatuesi më i madh nga të gjitha institucionet”, deklaroi Tabaku.