Deutsche Welle sjell në vëmendje rënien e lindshmërisë në vendin tonë që dikur renditej i pari në Europë për numrin mesatar të lindjeve, shifër që tashmë ka rënë ndjeshëm. Shkak i uljes së lindshmërisë, shkruhet se është bërë tranzicioni ekonomik dhe politik në Shqipëri. “Plakja e shoqërisë” konfirmohet me shifrat zyrtare të rritjes së moshës mesatare në Shqipëri. Nëse në vitin 2001 mosha mesatare në vend ishte 26.6 vjeç, vitin e kaluar mosha mesatare ishte 36.6 vjeç.
“Shqipëria ka aktualisht jashtë vendit rreth një të tretën e popullsisë ose një numër emigrantësh më të madh sesa forca e punës. Arsye tjetër është sepse kushtet e reja politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore sjellja shoqërore, riprodhuese dhe familjare e shqiptarëve ka ndryshuar, duke shkaktuar edhe një modifikim të pikëpamjeve të familjeve, sidomos çifteve të reja, ndaj numrit të fëmijëve. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e politikave e programeve specifike për mbështetjen e familjeve të reja, të cilat janë ‘furnizuesit’ kryesorë të lindshmërisë, përbën një shkak tjetër”, citohet në artikullin e DW-së.
Si pasojë e uljes së lindshmërisë, është ulur përqindja e grupmoshës deri në 15 vjeç, është rritur numri i pensionistëve dhe i popullsisë në moshën e punës, e cila është e aftë për punë, por tregu i punës nuk i thith dot flukset e popullsisë që dëshirojnë të hyjnë në treg nga jashtë tregut dhe kjo shkakton rritjen e papunësisë.