Pas dorëheqjes së Arben Isarait, Azbi Arapi është komanduar në detyrën e drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Isarai u largua nga ky post për shkak se vëllai i tij u arrestua me një sasi të vogël droge dhe armë në makinë.
Në letrën drejtuar ministrit Damian Gjiknuri dhe kryeministrit Edi Rama, Arben Isarajt shprehej se arsyeja e dorëheqjes ishte që, të mos ndikojë direkt apo indirekt në hetimin e vëllait të tij.
“Për të mos kolapsuar punën institucionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës z.Damian Gjiknuri komandoi z.Azbi Arapi, aktualisht me detyrë Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm Ekonomik, të kryejë gjithashtu detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të DPSHTRR-së, datë më 01.11.2018”, thuhet në një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Transportit Rrugor.
“Z.Azbi Arapi duke u bazuar në programin e Qeverisë RAMA 2, po trajton problematikat e ndeshura në këtë institucion, me qëllim për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, me ambicien realizimin e tyre në kohë reale. Nën vëmendjen e tij, DPSHTRR angazhon të gjitha strukturat e saj, që shërbimi ndaj qytetarëve në vazhdimësi të jetë në rritje cilësore dhe sipas standarteve më të larta”, thuhet më tej në njoftim.
Kush është drejtori i ri:
Në njoftimin e DPSHTRR, zbulohet edhe CV e drejtuesit të ri të kreut të ri të këtij institucioni:
Z.Azbi Arapi ka lindur në tetor 1970, në Burrel. Është i martuar me znj.Shkëndije Arapi(Çupa) dhe kanë dy fëmijë, Elvanin dhe Desarën.
Pasi ka ndjekur studimet e larta (1989-1992) në fakultetin Gjeologji Miniera, z.Arapi ka vazhduar studimet në universitetin “Luigj Gurakuqi”, në degën Administrim Biznes, i kualifikuar me titull “Drejtues Biznesi”.
Eksperienca dhe karriera e tij në fushën e biznesit ka vazhduar si në territorin shqiptar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ndër eksperiencat e punës, theksojmë menaxhimin e një kompanie greke dhe për shumë vite përfaqësimin e kompanisë Amerikane Trimble GmbH.
Gjatë viteve 2004-2012 ka kryer detyrën e Administratorit të Përgjithshëm për kompaninë GEOTRIM shpk.
Z.Arapi ka qenë pjesëmarrës në shumë aktvitete rajonale dhe botërore (USA, Gjermani, Poloni, Zvicër, Itali, Korea, Kinë, Greqi, Çeki). Është trajnuar në Gjermani për rekrutimin e punonjësve në kompani të mëdha, për menaxhimin e grupeve të punës, funksionimit të shoqërive tregtare, ekspertizën kontabël, orientimin e politikave të zhvillimit, iniciator dhe udhëheqës i projektit të implementimit të sistemit VRS nga Trimble Group në Shqipëri.
Jeta e tij aktive politike dhe institucionale zë fill që në vitin 2000, duke dhënë kontributin e tij menaxherial në shtabet elektorale. Në vitin 2011 kandidon për Kryetar Komune në Paskuqan. Në vitin 2013 dhe në vitin 2017, Kandidat në listën e Zgjedhjeve të Përgjithshme për PS dhe Anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Në vazhdim, përveç jetës aktive politike ku aderon, z.Arapi ka mbajtur që nga viti 2013 deri në shtator të vitit 2018, postin e Drejtorit të Drejtorisë Minerare (AKBN).
Së fundmi, emërohet Zëvendës Drejtor i Pergjithshem Ekonomik në DPSHTRR duke kaluar si titullar i saj më 01.11.2018.
(E.K/FAXWEB.AL)