Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një postim në ‘Twitter’ deklaroi se aktori i madh Robert Ndrenika është pro ndërtimit të një Teatri të ri.
“Lajm i shkelqyer qe i madhi Robert Ndrenika eshte PRO Teatrit te Ri! Asnje milimeter nuk merret e garancia per kete eshte nje negociate ku aktoret dhe arkitektet behen pjese me po kete fryme bashkepunimi qe shfaq kaq bujarisht miku yne Ndrenika per Teatrin e Tiranen qe duam”, shkroi ai.
Por ky “Lajm i shkëlqyer” në fakt është një lajm i vjetër që kryebashkiaku e paraqet si një “evolim” sa i përket qëndrimit të Ndrenikës për Teatrin Kombëtar.
Kjo pasi qëndrimi i aktorit për mundësinë e ndërtimit të një Teatri të ri është i ditur më herët, madje jo më larg se para dy ditësh, aktori Mirush Kabashi sqaroi para artistëve pikërisht darkën me kryebashkiakun Veliaj ku ai dhe Robert Ndrenika kishin diskutuar me të në lidhje me çështjen e Teatrit.
Ndër të tjera Mirush Kabashi në fjalën e tij tha “Ndrenika ishte që mund të bëhet edhe një Teatër i ri, por jo me PPP, por i paguar nga shteti. Sipas tij, Teatri Kombëtar duhet të ndërtohet nga shteti, ashtu siç e kanë bërë edhe vendet fqinje”, sqaroi Mirush Kabashi.
Siç kuptohet dhe nga ky citim, nga fjala aktorit, kryebashkiakut të Tiranës i është thënë në sy nga Robert Ndrenika se ai është pro ndërtimit të Teatrit të ri.
Por çfarë përpiqet të anashkalojë Erion Veliaj?
Në intervistën e dhënë për gazetën “Dita” Ndrenika, kur është pyetur në lidhje me pozicionin e tij në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar tha se shqetësimi i vërtetë i tij është trualli i Teatrit Kombëtar që ai e ka theksuar disa herë që po synohet të grabitet.
“E vërteta është se Robert Ndrenika nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimit të një Teatri të ri dhe dinjitoz. Ajo që unë kundërshtoj është tjetër gjë: Është përvetësimi i asaj toke nga kushdoqoftë. Ajo hapësirë, le ta quajmë fushë, (sepse fushë do të bëhet kur të ndërtohet godina e re) u përket artistëve dhe nuk duhet ta prekë askush… Le ta marrin vesh të gjithë thelbin e shqetësimit tim në këtë protestë”, thekson Robert Ndrenika.
Por Veliaj nga kjo intervistë e aktorit merr pjesën që dëshiron, që i shërben qëllimit të tij, edhe pse ashiqare duket se qëndrimi i Ndrenikës për Teatrin është po kaq i vjetër sa qëllimi i vërtetë i Veliajt për shembjen e tij.
Ndërkohë që shqetësimi real i aktorit që Teatri Kombëtar të mos ndërtohet me PPP anashkalohet nga kryebashkiaku, çfarë është dhe çështje më themelore në gjithë këtë gjullurdi.
Madje, Ndrenika jo vetëm që nuk ka ndryshuar qëndrim, por ai ka bërë dhe thirrje që politika të rrijë larg teatrit dhe të mos e shfrytëzojnë atë për interesa të tyre, qoftë politike dhe qoftë biznesi. (B.H/Faxweb)