Përballë agresionit të Rusisë, shtetet e Baltikut po bëjnë përpjekje për të mbrojtur kufirin lindor të NATO-s. Siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze nga kufiri i Letonisë me Rusinë, vija e mbrojtjes e Baltikut – një sistem i ri përforcimi përgjatë kufijve të tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë – ka për qëllim të mbrojë aleatët e NATO-s nga sulmet e mundshme.
Letonia po vendos struktura betoni, të njohura si “dhëmbët e dragoit” si pjesë të vijës së mbrojtjes së Baltikut përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë. Ministri letonez i mbrojtjes, Andris Spruds thotë se shtetet e Baltikut po shënojnë përparim në zbatimin e një marrëveshjeje të janarit për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Ka disa vite që jemi përballur me një lloj ofensive hibride siç janë fushatat dezinformuese, përdorimi i emigracionit të jashtëligjshëm, sulmet kibernetike dhe disa incidente ndaj infrastrukturës tonë kritike. Ky është një prej shembujve se ne po marrim masa për të parandaluar shtetet agresore dhe natyrisht po bashkëpunojmë me aleatët tanë të NATO-s për të forcuar mbrojtjen”, thotë ai për Zërin e Amerikës.