8-dhjetori dita e Rinisë përkujtohet si një ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimeve demokratike në vendin tonë. Ishin protestat studentore ato që bënë rotacionin e butë nga regjimi totalitar që na sundoi për 50 vite me rradhë, në sistemin e sotshëm demokratik.
Një nga studentët pjesëmarrës në protestat është edhe Nard Ndoka i cili në këtë 26 vjetor kujton momentet e rëndësishme nga protestat.
Reagimi i plotë:
Sot është 8 dhjetori!
Koha që rinia të marrë sërish fatet e vendit në dorë!
Ky pushtet që vret shpresën e tyre duhet të zbrapset një orë e më parë!
Sot është një ditë, që mbart një simbolikë të vecantë dhe shpreh një moment të shënuar për popullin shqiptar.
Është dita ku pjesa me vitale e shoqërisë sone, rinia, kreu një nga aktet më sublime të shkëputjes historike, politike, shoqërore e ekonomike të vendit tonë nga diktatura gati gjysmë shekullore e komunizmit.
Në 8 dhjetor në zemren e çdo të riu shqiptar ziente dëshira, ideali, përpjeka e vendosmëria për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, për ta shkulur Shqipërinë nga lindja dhe për ta futur në trajektoren e zhvillimit nëpërmjet modelit perëndimor të demokracisë.
Atij brezi i detyrohemi shumë, sepse ishin nismëtarët idealistë të një Projekti Europian të Shqipërise komuniste të asokohe, brezi që sakrifikoi më shumë nga të gjithë, rinia, kategoria që zakonisht lëviz dhe nis dinamikat e ndryshimeve të mëdha, por akoma më shumë i detyrohemi rinisë aktuale që pushteti i ka vjedhur shpresën.
Po pyetja është; ku jemi ne sot, a kemi përmbushur sadopak pritshmëritë e rinisë idealiste së dhjetorit dhe ne ç’gjendje ndodhet rinia aktuale sot?
Pergjigja është; se politika e këtyre 26 viteve ka tradhëtuar projektin e nje brezi të tërë, me nje rini e cila çdo dite ia mbath nga sytë këmbët nga Shqipëria -duke e boshatisur vendin- nga një pushtet, i cili nuk e përfaqëson aspak, një pushtet i cili e dhunon sistematikisht, duke mos i dhënë as perspektivë, as punësim, as shëndetësi, as arsim cilësor, por mbi të gjitha as shpresë.
Sot, pjesa më e madhe e rinisë e shohin politikën si sinonim të krimit, pushtetit, korrupsionit dhe çdo antivlere tjetër, sepse nuk ndjehet e përfaqësuar në asnjë nivel të politikës, sepse ne ende kemi në parlament “relikte të komunizmit”, që na qeverisin me retorikë europiane.
Sot parlamenti shqiptar qeveriset nga “garda e vjetër” e regjimit të kaluar”, e cila s’bën asgjë tjeter veçse ngroh karrigen dhe nuk i lë radhë rinisë.
Papunësia e frikshme dhe mungesa e shpresës thjesht ka denigruar edhe pjesën e rinisë që aktivizohet në politikë duke i kthyer ne buratinë partiakë që nuk guxojnë të mendojnë ndryshe nga lideri, por mendojnë sesi tingulli i duartrokitjes të përulur e servile të rroket sa më mirë nga veshët e “Liderit Suprem”.
Pra sot ky pushtet e ka katandisur rininë në një gjendje që ajo në vend që të prodhojë realisht politikë, bën garë se kush duartroket më fortë e më zellshëm në sytë e liderit dhe kjo nuk është rinia që duam.
Në këtë situatë pashprese të madhe, rinisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta marrë vetë fatin e saj në dorë, ashtu si atë 8 dhjetor të 26 viteve më parë.
Ta mbajë idealizmin të gjallë dhe të angazhohet dhe njëherë me vrullin e idealin e asaj rinie të dhjetorit që përmbysi atë sistem shtypës e diktatorial që vazhdon edhe sot.
Vetëm duke angazhuar një rini idealiste dhe antikonformiste, pushtetit aktual totalitar do t’i bjerret ai pak legjitimitet politik e moral që i ka mbetur, në mënyrë që të kemi nje qarkullim real të elitave në funksion të krijimit të nje shteti ligjor të se drejtës, me institucione të forta dhe jo me “individë të fortë”.
Dita e sotme përtej një dite feste është një dite proteste ndaj një pushteti të kalbur politik, ndaj dhe sot rinia duhet të protestojë ndaj kësaj qeverie për idealet e tradhëtuara dhe për vrasjen e shpresës, për punësimin, ekonominë e vjedhur, për arsimin dhe për të drejtën e familjes!