Policia e Fierit ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në gjimnazin ”Janaq Kilica” në Fier ku dhjetra nxënës shfaqën simptoma helmimi.
Sipas policisë ka qenë një nxënës i kësaj shkolle që ka hedhur sprajt piperi në drejtim të bashkëmoshatarëve të tij.
Në ambulancën e qytetit të Fierit ka shkuar dhe prokurorja Violeta shkurta, si dhe kryebashkiaku Armando Subashi.
Burime bëjnë me dije se nxënësi që ka hedhur sprajtin ka qenë problematik, ndërsa mbetet e paqartë se pse nuk ka pasur ndërhyrje nga shkolla, sa kohë që ngjarja është e përsëritur.
Pak ditë më parë po në këtë shkollë, u helmuan disa nxënës, për të cilët në fillim u thanë se ishin helmuar gjatë një eksperimenti të ndodhur në orët e Kimisë.
Njoftimi i policisë:
Sot rreth orës 11:10, në spitalin Rajonal Fier kanë shkuar për kontroll mjekësor disa nxënës të një shkolle të mesme që kanë pasur probleme me frymëmarrjen.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga veprimet e para të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Fier, Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Shkollës, paraprakisht dyshohet se është përdorur sprajt piperi nga një nxënës i kësaj shkolle.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për të zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Që prej fillimit një nxënëse u shpreh për Fax News së ngjarja kishte qenë e qëllimshme, dhe se ishte e papranueshme që në shkollë u mundua të mbulohej çështja duke thënë se kishte ndodhur një eksperiment në orën e Kimisë.
(E.K/Faxweb.al)