Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas qëndrimit të kryeministrit lidhur me ngjarjen e dhunimit të gazetarit Bledi Kasmi, ku e quajti çështjen e dhunës së policisë ndaj tij si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare.
Basha shkruan se ky qëndrim i kryeministrit është i dënueshëm dhe i rrëzikshëm.
“Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias. Paprekshmëria e jetës dhe lirisë së individit dhe liria e shprehjes janë vlera universale dhe themeli i sistemit demokratik perëndimor dhe Bashkimit Europian.”
Postimi i plotë
Qëndrimi i Edi Ramës për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias. Paprekshmëria e jetës dhe lirisë së individit dhe liria e shprehjes janë vlera universale dhe themeli i sistemit demokratik perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standartet minimale perëndimore por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes. Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë