Konflikti për pronën ka ndarë më dysh vëllezërit dhe motrat e familjes Koleci në Durrës, ndërsa situata u agravua deri në plagosjen e Qefsere Kolecit nga kunati i saj Mediu. Ky i fundit është ende në kërkim nga ana e Policisë së Durrësit ndërsa mbahen ende në burg dy djemtë e tij.
Po sipas hallës dhe xhaxhait të dy djemve që ndodhen në burg, fajtore për ngjarjen dhe ajo që ka nxitur sherrin është vetë Qefserja dhe dy të rinjtë nuk kanë pasur asnjë gisht në dhunim, ndërsa shtojnë se nuk ka pasur asnjë dëshmitar te toka në momentin kur ka ndodhur përplasja.
Fiqerete dhe Vezir Koleci shprehen se konflikti mes vëllezërve të tyre është shtyrë nga persona të tretë, dhe se Mediu nuk ka besim te policia që të dorëzohet dhe të japë dëshminë e tij për ngjarjen.
“Gjakrat po acarohen dita ditës, kam ardhur sot këtu se një djalë po mbahet në burg për një krim që nuk e ka kryer. Unë jam halla dhe kërkoj që Admir Koleci të lirohet nga burgu, pasi i rrezikohet karriera, është djalë me master”, u shpreh Fiqirete Koleci.
Pse thoni që nuk ka prova?
‘’Admir Koleci nuk ka qenë as në fshat, djali tjetër ka kamera që nuk ka qenë fare i pranishëm në fshat, pasi ka qenë në kafe. Asnjë dëshmitar nuk ka qenë aty, Admiri ka qenë te shtëpia e nuses atë natë. Admir Koleci ka shkuar vetë që të japë dëshminë, duke qenë se e dinte se ka qenë i pafajshëm.
Sëpata nuk ka qenë e Mediu po ka qenë e Qefseres, e cila ishte duke prerë ullinjtë te toka. Nuk mund të shkojmë atje dhe të themi se jemi gra dhe na mbron ligji dhe të provokojmë” , u shpreh më tej Fiqirete Koleci.
Ndërkohë që Vezir Koleci shprehet më tej se vëllai i tij Mediu që është në kërkim ka fituar betejën e tij ligjore në gjykatë, dhe ndërhyrja e INUV ka qenë përmes rryshfetit.
“Xhaviti e ka humbur betejën në Gjykatë dhe tani kërkon që të ndërhyjë policia. Qefserja ka qenë ajo që e ka nxitur situatën e dhunës, është konflituar vetë e para. Ne nuk kemi qenë atje po kështu ka thënë Mediu”, u shpreh Vezir Koleci.
(E.K/FAXWEB.AL)