Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas dhunës së ushtruar nga punonjësit e policisë ndaj një të burgosuri me iniciale T.D në Fier.
Ngjarja e ndodhur më 14 nëntor është denoncuar nga nëna e të dhunuarit. Komiteti Shqiptarë i Helsinkit që ka verifikuar rastin thotë se personi në fjalë është dhunuar nga grupi i sigurisë në një dhomë ku është goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Por rasti është fshehur dhe sipas Komitetit shqiptarë të Helsinkit në kartelën e të burgosurit nuk janë pasqyruar dëmtimet trupore.
DEKLARATA E PLOTË:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) u njoftua nga e ëma e të dënuarit T.D, i cili është duke ekzekutuar dënimin në burgun (IEVP) e Fierit, se djali i saj është keqtrajtuar nga punonjësit e sigurisë në këtë institucion. KShH e vlerësoi njoftimin e mësipërm dhe e verifikoi gjendjen në vend, më dt. 16.11.2017. Në përbërje të grupit të vëzhgimit të KShH-së ishte edhe një mjek ligjor.
Gjatë këtij verifikimi rezultoi se më dt. 14 Nëntor 2017, rreth orës 12:00, i dënuari ndodhej në ajrim së bashku me të burgosurin tjetër, me të cilën bashkëjeton në të njëjtën dhomë, në sektorin e observimit. Në këtë kohë, i dënuari është thirrur nga Grupi i Sigurisë për të ushtruar kontroll në dhomën e tij.
Kontrolli i mësipërm nuk zbuloi asnjë send të ndaluar. Për shkak të kontrollit ka nisur një konflikt që sipas të dënuarit vijoi me keqtrajtimin e tij, ndërsa sipas informacionit të institucionit ku pasqyrohen konkluzionet e kontrollit dhe Raporti i Shërbimit ndaj të dënuarit, rezulton se ai ka ofenduar një ndër specialistët e Grupit të Sigurisë.
I dënuari pretendon se pas konfliktit verbal, u mor nga Grupi i Sigurisë dhe u vendos në një nga dhomat e veçimit, ku është goditur në pjesë të ndryshme të trupit, shenjat e të cilave janë konstatuar edhe nga ekzaminimi i jashtëm i ekspertit të angazhuar të KShH-së (grupi monitorues).
Nga ky ekzaminim u konstatuan 5 dërmishtje nën nivelin e artikulacioneve të gishtërinjve të dorës së djathtë,një dërmishtje gjatësore në trajtë shiriti në pjesën e brendshme të kyçit të dorës së djathtë dhe ekimoza në pjesën e mesme të brendshme të parakrahut të majtë dhe të djathtë. Në kofshën e djathtë, në nivelin e 1/3 të mesme u konstatua një zonë tjetër ekimotike, me përmasa më të mëdha. Vlen të përmendet se mjeku i institucionit deklaron se nuk ka patur informacion për këtë ngjarje, ndërsa në Kartelën Klinike nr. 2053, më dt. 14.11.2017 (dita e ngjarjes) përmendet shkurtimisht se i dënuari është dërguar urgjentisht në Spitalin e qytetit të Fierit, me pretendimin e tij se ka gëlltitur disa copa qelqi të një ampule të thërrmuar të gjetur në tualetin e dhomës.
Nga verifikimi i kartelës nuk rezulton të ketë shënime lidhur me shenjat e verifikuara si më sipër, si nga mjeku i institucionit ashtu edhe nga eksperti mjeko-ligjor të dërguar për ekzaminim nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve (ShKB). Mos-paqyrimi në kartelë, i vizitës që është kryer nga eksperti mjeko-ligjor i ShKB-së, bie ndesh me detyrimin për dokumentimin e veprimit dhe gjendjes.
KShH e konsideron pozitive reagimin e menjëhershëm të ShKB-së dhe kryerjen e veprimeve të para hetimore, në funksion të detyrës ligjore të policisë gjyqësore.
Pavarësisht këtij fakti, KShH reagon publikisht për këtë verifikim, sepse raste të tilla janë të përsëritura. Kështu psh., më dt. 30.09.2017 është keqtrajtuar i dënuari V.G, në burgun e Peqinit dhe kjo çështje është në hetim penal.
KShH u bën thirrje organeve përkatëse dhe veçanërisht drejtuesve të burgjeve që të marrin masa parandaluese, përfshirë edhe rritjen e ndjenjës së sigurisë për të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Personeli i burgjeve ka detyrimin ligjor të denoncojë çdo akt dhune, edhe kur kjo dhunë është ushtruar nga kolegët e tyre. Moskallëzimi i krimit dënohet penalisht sipas Kodit Penal. (b.h/Faxweb)