Burime për Fax Web bëjnë me dije se është shoqëruar në ambjentet e komisariatit të Policisë, presidenti i Klubit të Kamzës Naim Qarri, pasi dyshohet se ka kryer dhunë në stadium gjatë ndeshjes së sotme midis Kamzës dhe Laçit e cila u shoqërua me tensione të shumta se dhe u dhunua arbitrui kryesor i ndeshjes Eldorian Hamiti.
Ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ndeshjes Kamza-Laçi e cila është zhvilluar pasditen e sotme dhe që u zhvillua në qytetin e Kamzës.
Arbitri kryesor i kësaj ndeshjeje, Eldorian Hamiti është goditur tifozët e ekipit vendas të cilët kanë hyrë brenda fushës e ku midis tyre dyshohet se ka qenbë edhe presidenti Qarri.
E gjithë ngjarja rrodhi pasi Hamiti akordoi një penallti në favor të ekipit të Laçit diçka e cila u kundërshtua nga futbollistët e Kamzës e ku më pas disa tifozë zbritën në fushë.
Kjo ka bërë që ndeshja të ndërpritet për pak kohë derisa situate u qetësua pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë së stadiumit.
Ndeshja e cila është e vlefshme për havën e 24 të Superligës u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1.
Ndërkohë që pak më herët ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit e cila ka dënuar dhunën e ndodhur si dhe ka kërkuar reagimin e institucioneve të shtetit shqiptar për të zbatuar ligjin dhe për të nxjerrë përpara drejtësisë autorët e skenave të dhunës në stadiumet shqiptare.
Deklarata e FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Kamza-Laçi, e vlefshme për javën e 24-të të Kategorisë Superiore. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur sigurinë e garës së futbollit në Shqipëri.
FSHF prej muajsh ka kërkuar reagimin e institucioneve të shtetit shqiptar për të zbatuar ligjin dhe për të nxjerrë përpara drejtësisë autorët e skenave të dhunës në stadiumet shqiptare. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet.
Ne dënojmë dhunën, si një fenomen qe jo vetëm cënon rëndë vërtetësinë e garës por edhe imazhin e lojës. Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpër çdo akt dhune, që vjen nga tifozët, zyrtarët, futbollistët apo kushdo tjetër. Ne presim që të gjithë aktorët të bëjnë punën e tyre ashtu siç i kërkojmë komisioneve që të jenë ekstremisht të ashpër me ata që prishin imazhin, jo vetëm të lojës por edhe të futbollit shqiptar.
Ne kërkojmë në mënyrë të përsëritur të rishikohet vendimi nxituar për të larguar përfundimisht Policinë nga stadiumet. Në kushtet ku Shqipëria ndodhet e gjykojmë të pavend. Ky vendim i nxituar cënon rëndë mbarëvajtjen e garës më të ndjekur sportive në Shqipëri.
(F.GJ/FAXWEB.Al)