Dy raste dhune janë shënuar ditën e sotme, njëri në Burrel dhe tjetri në Elbasan. Dy djem kanë rrahur nënat e tyre. I pari për arsyen absurd që nuk i ka dhënë lekët e pensionit, ndërsa për rastin e dytë nuk ishte një gjë e re pasi ai herë pas here ushtronte dhunë ndaj nënës së tij.
Për të dyja rastet ka ndërhyrë policia që ka dërguar prapa hekurave të dy personat. Ata akuzohen për veprën penale “dhunë në familje” dhe do përballen përpara gjykatës për këtë.
MAT
Policia e Burrelit bëri të ditur se është arrestuar për herë të dytë 51-vjeçari Anton H., banues në njësinë administrative Baz, pasi ai rrihte nënën e tij të moshuar.
Ky shtetas ushtronte dhunë fizike në mënyrë të vazhdueshme ndaj nënës së tij, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Mesnatën e një dite më parë, në sallën operative të Policisë Mat ka mbërritur një telefonatë nga ky fshat.
Telefonuesi saktësoi se e moshuara me inicialet L.H., 75 vjeçe, po rrihet nga djali dhe se ajo kërkonte ndihmë. Burimet shtojnë se telefonata është bërë nga komshinjtë. Ata janë bërë dëshmitarë të dhunës së djalit ndaj nënës edhe herë të tjera, por nuk kanë ndërhyrë nga frika se mund të konfliktohen me 51-vjeçarin e alkoolizuar. Frika se ngjarja mund të precipitonte tragjikisht, ka bërë që banorët të njoftojnë policinë.
Mbërritja shpejt e efektivëve të Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e dhunës duke e arrestuar në flagrancë shtetasin Anton H. Pas arrestimit të djalit, e dhunuara është dërguar në spitalin “Xhavit Mara” në Burrel.
Mjekët kanë konstatuar shenja dhune, hematoma dhe dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit të së moshuarës. Mësohet se edhe në raste të tjera ky shtetas rrihte nënën e tij, duke i kërkuar forcërisht t’i dorëzonte pensionin. Sa herë 75- vjeçarja kundërshtonte dhënien e parave, ajo dhunohej keq nga i biri.
ELBASAN
Një tjetër ngjarje e rëndë brenda familjes ka ndodhur në Elbasan, ku një i ri është arrestuar pasi ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. “Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, u arrestua në flagrancë shtetasi Aldo S., 25 vjeç, banues në Elbasan.
Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 15.09.2017, në banesë dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, shtetases R.Sh., 51 vjeçe, e cila ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor më datë 27.06.2017. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqë- sor Elbasan për veprat penale “dhunë në familje” dhe “veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, parashikuar nga nenet 130/a/ dhe 321 të Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia e Elbasanit.
Sipas të dhënave, gruaja 51-vjeçare dhunohej herë pas here nga i biri, ndaj, ndodhur në këto kushte, ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtje. Duke vlerësuar situatën, Gjykata e Elbasanit ka vendosur urdhër mbrojtjeje. Por kjo nuk e ka penguar të riun të vijonte dhunën ndaj nënës. Gjendur në këto kushte, ajo ka sinjalizuar rrezikun që i kanosej nga i biri. Policia ndërhyri dhe arrestoi 25- vjeçarin për dhunën në familje, por edhe për veprimin që bie në kundërshtim.