Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar lidhur me përplasjen gjatë pasditës së sotme midis disa protestuesve në Cërrik dhe policisë, pjesë e të cilës ishte edhe ish-deputeti Luçiano Boçi.
Sipas Bashës, dhunimi dhe shoqërimi i Boçit nga shefi i policisë së Elbasanit tregon pushtetin e grabitur nga vota e blerë nga narkokriminelët.
“Populli është në këmbë dhe nuk trembet e nuk ndalet më!”, shkruan Basha.
Reagimi i plotë:
Dhunimi dhe shoqërimi i ish deputetit dhe pedagogut Luçiano Boçi nga banditi Bert Nushi tregon se pushtetin e grabitur me narkokriminelë e vota të blera po rreken ta mbajnë me dhunën e policëve të inkriminuar. Ky akt dëshmon friken dhe fundin e afërt të Maduros se Ballkanit.
As krimi e as policët e inkriminuar nuk e mbrojnë dot më këtë regjim. Organizatës kriminale të Rilindjes dhe kreut të saj i ka ardhur fundi. Populli është në këmbë dhe nuk trembet e nuk ndalet më! #ShqipëriaSiEuropa
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme banorët e Cërrikut pritën me protesta kryeministrin Rama, ku mes tyre ka qenë edhe ish-deputeti Boçi. Mësohet se ish-deputeti është shoqëruar në polici pas një konflikti me nëndrejtorin e policisë së Elbasanit, Albert Nushin dhe më pas është lënë i lirë.
Në videon e siguruar nga Fax Web shihet se si Boçi tërhiqet zvarrë nga efektivët, të cilët e kanë dërguar drejt një furgoni policie.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post