Një çift të moshuarish është terrorizuar, dhunuar dhe grabitur me armë në lagjen numër 3 të qytetit të Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa nga banesa e të moshuarve janë marrë një sasi lekësh, kursime të çiftit si dhe unazat e floririt që mbanin në duar.
Gazetarja e Fax News Ledjona Xheladinaj raporton se nga banesa e familjes Rapo janë marrë 900 mijë lekë të vjetra. Dy të moshuarit kanë qenë të vetëm në banesë, ndërsa fëmijët e tyre ndodhen në emigracion. E moshuara ka patur tronditje të rëndë psikologjike ndaj është dërguar në spital ku ka marrë mjekim .
Faxweb.al ndërkohë ka zbardhur dhe dëshminë që ka dhënë kryefamiljari Foni Rapo për gazetaren Xheladinaj. Sipas tij autorët kanë qenë dy, të pajisur me armë dhe thikë dhe kanë hyrë nga dera e pasme e banesës.
“Dy persona me maskë , armë dhe thikë u futën nga dera e pasme. Na kërcënuan dhe goditën. Mua më goditën me qytën e pistoletës në kokë ndërsa gruan Afërdita në krahë dhe këmbë. Na nxorrën edhe thikën. Bërtisnin lekët lekët. Thoshin se jemi nga Elbasani.
Pasi morën lekët e pensionit iu treguam edhe kursimet. Ata kërkonin lekë të tjera. Iu dhamë unazat e floririt. Na lidhën më pas kërkonin lekë të tjera. Jemi të tmerruar. Gruaja është e sëmurë me diabet dhe tension. Është e tmerruar. Ndodhet akoma në spital. Kërkojme të kapen autorët”, është shprehur Foni Rapo.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Më datë 14.10.2019, rreth orës 21.45, në lagjen nr.3, dy persona ende të pa identifikuar, dyshohet se njëri kishte armë zjarri tip pistoletë kanë hyrë në banesën e shtetasve F.R dhe A.R, rreth 85 vjeç, duke ushtruar dhunë psikologjike, kanë marrë një sasi lekësh dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Dy të moshuarve u është dhëna ndihma e parë mjekësore, pa probleme për jetën.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(E.K/Faxweb.al)