Pak ditë më parë kompania Gener 2 u shpall fituese e koncesionit për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Qafë Kashar me një kosto totale prej 225.8 milionë euro, dhe që do të paguhet me këste për 13 vite nga qeveria shqiptare.
Pra një rrugë me gjatësi totale 20.8 kilometra, dhe në një terren kryesisht fushor, do të duhet që të paguhet më shumë se 10 milionë euro për kilometër nga ana e taksapaguesve shqiptarë.
Ky koncesion u dha nga ana e qeverisë shqiptare, përmes një oferte të pakërkuar nga ana e vetë kompanisë, një taktikë kjo që është zgjedhur dhe për disa projekte të tjera, siç është ndërtimi i Teatrit Kombëtar, duke shfaqur dukshëm afërsinë e qeverisë shqiptare me disa kompani private.
Po sa kushton realisht ndërtimi i këtij aksi prej rreth 20 kilometrash:
Në një studim të bërë nga ana e ekspertëve të BE-së dy vite më parë kostoja e kësaj ruge llogaritej të ishte jo më shumë se 90 milionë euro.
Ajo çfarë ka ndodhur këto ditë është se studimi i Komisionit Europian nuk është marrë fare parasysh, dhe veç kësaj, vetë qeveria e ka avantazhuar që në nisje Gener 2.
Qeveria e ka dhënë këtë rrugë me 135 milionë euro më shumë sesa llogaritja e bërë nga ana e ekspertëve, duke shënuar kështu një tjetër skandal që do të paguhet nga ana e taksapaguesve shqiptarë.
(E.K/FAXWEB.AL)