Kryesuesja e listës së kandidateve të Partisë Demokratike për Qarkun Dibër, Dhurata Çupi ka zhvilluar takime me banorët e qarkut Dibër.
Çupi ka kujtuar premtimet e parealizuara të PS-së në fushatën e kaluar, ndërsa ka folur për programin e PD-së në këtë fushatë.
“Vijmë nga një qeverisje 8-vjeçare e PD, kur ishte në mbështetje totale ndaj qarkut dhe vijmë nga një braktisje totale nga PS. Ne vijmë nga një premtim shëndetësia falas, por të gjithë jemi dakort se nuk ka përfituar asnjë qytetar matjan nga shëndetësia falas, përpos tendencës për të hequr specialistët me eksperiencë për t’i zëvendësuar me socialistë të radhës. Vijmë nga një premtim nga PS për 300 mijë vende pune, por as tre vende pune nuk kemi në Mat. Vijmë nga një eksperiencë e PS, ku ndihmën e kemi të limituar. Pa investime.
Nuk mban mend qarku Dibër, nuk mban mend Mati asnjë shkollë, asnjë çerdhe, asnjë qendër shëndetësore.
Vijmë me një program të realizuar nga ekspertë të Angela Merkel, e cila ka asistuar PD me premtime konkrete. Zoti Basha ka premtuar për pensionistët 250 mijë lekë pensionin dhe nuk është pak besoj, të gjithë e presim. Ka premtuar kampuse për gjithë nxënësit e shkollës, përkrahje sociale, një fashë 300 kilovat energji elektrike falas për shtresën në nevojë. Ka premtuar taksën e sheshtë në 9%. JAnë premtime me këmë në kokë dhe besoj se PD e ka mbajtur premtimin 2005-2013 dhe nuk ka dyshime që premtimet e zotit Basha do mbahen me detaje.”, është shprehur Çupi.
Ajo u ndal tek Biznesi dhe tha se ka nevojë për mbështetje përmes taksave të ulëta e politikave që jep mundësi për punësim të qytetatëve.
“Sot me kënaqësi konstatova se një biznes fason ka të punësuara të paktën 150 gra në Burrel dhe prej vitesh është kthyer në një mundësi më shumë për familjet Matjane.”, tha kanditatja për deputete.
Administratori i këtij biznesi, puna e të cilit është fokusuar në prodhimin e veshjeve për eksport, tha se çdo ditë e më shumë po rritet interesi i banorëve të këtyre zonave për punësim. (D.D/Shuplaka)