Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas takimit që ka patur me përfaqësues të Luginës së Preshevës.
Bushati ka thënë se Shqipëria do të kërkojë nga Serbia të njëjtat të drejta që kanë serbët në Kosovë.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Ditmir Bushati shprehet se Shqipëria inkurajon arritjen e një marrëveshjeje që garanton njohjen reciproke mes dy vendeve.
“Në takimin me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës i sigurova ato se Shqipëria do të vijojë të kërkojë nga Serbia për ta, atë që u takon. As më shumë, e as më pak, se të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë. Kosova ka vendosur në këtë drejtim një standard të pakapërcyeshëm.
Në lidhje me procesin e Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i sigurova miqtë nga Presheva se Shqipëria inkurajon vijimin e këtij procesi dhe arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që siguron njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Një marrëveshje që normalizon plotësisht marrëdhëniet mes tyre dhe që do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, shkruan Bushati.