Drejtori i kabinetit të presidentit Meta, Edmond Panariti, ishte i ftuar në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax Neës ku foli për situatën e koronavirusit në vendin tonë duke ngritur pikëpyetje të mëdha për përqindjen e vdekshmërisë së personave që hyjnë në intubim. Sipas tij, ka diçka që nuk shkon pasi në Shqipëri vdes kushdo që hyn në intubim, ndërsa në Evropë, rreziku i vdekjes është 40%.
“Fakti që ti ke një vdekshmëri në intubim në gati 100% dhe Europa e ka 40%, diçka nuk shkon, por duhet investuar. Është përsëri moemnti për të patur një protokoll trajtimi më të kujdesshëm. Nuk mund ti lejojmë vetes që një vend me popullsi prej 2.5 milionë banorësh, të kemi 27 mjekë që kanë ndërruar jetë”, tha Panariti.
Nuk la pa përmendur dhe kërkesat e mëdha të Pfizer dhe ankesat e shumë shteteve pas deklaratës së kompanisë se do të kishte reduktim të dozave pasi po punohej për të rritur nivelet e prodhimit. Panariti theksoi se nuk duhet të mungojë transparenca në Shqipëri, ku do të vijnë 500 mijë doza nga Pfizer dhe marrëveshja me kompaninë është cilësuar si “sekret tregtar”.
“Kërkesat janë të mëdha dhe po tentohet të zgjerohet baza e vaksinimit duke përdorur vetëm dozën e parë, duke harruar që duhet lënë vend dhe për dozën e dytë sepse vjen shpejt intervali pas 3 javësh. Ndërkohë rrezikohet që të mos ketë dozë të dytë ndërkohë që ke marrë të parën. Nuk është nul, por bie efektiviteti. Kompania ka përcaktuar si pikën optimale 3 javëshin dhe çdo gjë që e kalon, krijon pikëpyetje. Ndaj kjo kërkon një menaxhim dhe koordinim. Ajo që besoj se keni parë është se shtetet po tentojnë të kontaktojnë menjëherë me kompaninë, por harrojnë se është e ndarë në dy doza.
E dini çfarë ndodh kur vaksina prodhohet nga Pfizer dhe del për të shkuar në destinacion? Vaksina përgjithësisht përgatitet në kuotën nga 1-5 mijë. Brenda ka një monitorues të temperaturës, i cili në çdo orë mat temperaturën. Kur shkon në destinacion, gjëja e parë që do bëhet, do hapet termusi dhe duhet lexuar nëse gjatë transportit është respektuar regjimi i temperaturës. Në rast se jo, ka marrë goditje. Prandaj kërkohej transparence dhe nuk duhej të fshihej pas sekretit. Problemi pastaj është i dy dozave se po kaloi, askush nuk të jep garanci se do të jetë imuniteti siç parashikon prodhuesi”, tha Panariti.
(A.M/Faxweb.al)
Discussion about this post