Tre banesa u përfshinë mëngjesin e sotëm nga flakët dhe u shkrumbuan totalisht në fshatin Pendavinj të Maliqit. Fillimisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në njërën nga banesat e më pas flakët kanë depërtuar edhe në banesat e tjera të cilat kanë qënë shumë pranë njëra – tjetrës.
Prej më shumë se 3 orësh forcat zjarrfikese në terren kanë punuar për neutralizimin e flakëve dhe shuarjen totale të tyre. Dëmet në banesa janë të shumta ndërsa vijojnë hetimet nga ana e policisë mbi shkakun e vërtetë të zjarrit. Pavarsisht ndërhyrjes së 3 familjeve për të fikur zjarrin ato janë përhapur me shpejtësi, kjo e favorizuar edhe nga era. Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu ka zbritur në terren dhe është shprehur se nga ana e bashkisë do të merren masa sipas të gjitha akteve nënligjore për tu ardhur në ndihmë këtyre familjeve.
Njoftimi i policisë:
Maliq/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, ka rënë zjarr në banesat e shtetasve I. Q., Dh. Q., dhe P. V., të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale.
Shërbimet e zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje, për të bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Discussion about this post