Analisti Artur Zheji i ka kushtuar një shkrim të gjatë qeverisjes së Ramës, i cili pavarësisht se tashmë është dobësuar së shumti, vazhdon të rrijë në pushtet. Zheji ndan mendimin se Ilir Meta, sikundër në 2013-ën, vendos të vazhdojë të mbështesë Ramën, atëherë ta gëzojmë edhe katër vite të tjera në pushtet.
Duke folur në analizën për “360gradë.al” për fodullëkun e kryeministrit, për të gjitha qyfyret verbale të tij, për gropën e miseries që vazhdon të thellohet, Zheji kujton një moment nga koha e miqësisë me Edi Ramën kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Më kujtohet njëherë, tashmë shumë vite më parë, kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, në kohën e qeverisë Nano. Më merr në telefon dhe më thotë planin e tij që të godiste me sopatë një shtyllë që KESH, nuk e hiqte nga mesi i rrugës.
“Do më marrin për të çmendur thua?” më pyeti.
“Bëje!” e nxita miqësisht, “ky vend është edhe më i çmendur akoma, që lejon që të rrijë në këmbë një shtyllë elektriku mu në mes të rrugës!”
Tani situata është e përmbysur, është vetë “sopataxhiu” progresist i asaj kohe, sot kryeministër, që rri si një shtyllë apo si një hu, pikërisht në mes të rrugës dhe që është bërë pengesë për ekuilibra të rinj politikë që duhen rivendosur në këtë vend.
Mirëpo Shqipëria politike është sot më pak e “çmendur” se ai dhe askush nuk kërkon të shkojë me “sopatë në dorë për të shkulur shtyllën e pushtetit të tij”.
Nëse Ilir Meta, që në 1 Prillin e vitit 2013, prishi koalicionin me Berishën, për: “Një ekuilibër të ri politik në Shqipëri”, është përsëri i mendimit se ky është “Ekuilibri më i mirë politik i vendosur”, kryeministrin Rama e kanë gati edhe për 4 vite të tjera.
Ta mbajnë e ta gëzojnë dhe ta përflasin edhe një katërvjeçar tjetër të gjatë, përderisa Edi, të vetëlodhet nga pushteti dhe të kërkojë argëtim, adrenalinë dhe rrumpallhane, diku në një aventure dhe në një sport tjetër.”, shkruan ndër të tjera Zheji.
(XH.A/SHUPLAKA)