Imazhi i trupit mbetet një ndër temat më të diksutuara ditët e sotme. Mes marketingut për format perfekte dhe ‘revoltës’ së disa prej yjeve hollivudianë për të shfaqur të kundërtën, e vërteta mbetet një: të githë dëshirojmë një fizik sa më të paraqitshëm. Është kjo arsyeja pse rendim pas dietave, palestrës apo të tjera aktiviteteve, duke u munduar që të arrijmë rezultatin e dëshiruar.
Mbipesha është një problem kur vjen puna tek shëndeti. Kilogramët e tepërt, të mbajtur prej vitesh mbi supe, shpesh mund të çojnë në sëmundje të paparashikueshme, e ky bëhet shkak që mjekët të këshillojnë ruajtjen e një peshë normale dhe konstante. Nga ana tjetër, personazhet publikë nuk parapëlqejnë të prezantohen me një imazh të tillë, kështu kemi parë jo pak raste transformimesh. Nga vajzat shqiptare, disa emra në veçanti janë kujdesur të përmirësojnë pamjen e jashtme, duke larguar kështu kilogramët e tepërt.
Nëse për disa pesha ishte një problem real, të tjera konsideroheshin si ‘të kolme’ në fillimet e karierës në ekran. Në të dyja rastet, vajzat punuan dhe u mundua të sjellin fizikun në një formë sa më të përsosur; formë në të cilën shfaqen edhe sot në sytë e publikut. Ne kemi zgjedhur pesë prej tyre:
LINDA HALIMI
Linda Halimi ishte vajza tipike rock, që çmendi publikun me zërin e saj në Top Fest e të tjera festivale shqiptare. E rrumbullakosur dhe përgjithësisht veshur vetëm me të zeza, nuk do të vononte shumë që Linda të realizonte një trup për t’u patur zili! Ajo vazhdon edhe sot të kujdeset për fizikun, ndërsa është tejet e dhënë pas ushtrimeve fizike në veçanti. Me pak fjalë, mund ta konsiderojmë pa frikë si një vajzë suoer të palestruar, që vesh me krenari pantallona të shkurtra, minifunde, bikini apo fustane vërtetë të ngushta. Sa për transformimin, të lë me gojë hapur…Është e habitshme të mendosh se nga 113 kilogramë, të arrish në 44!!!
SARA HOXHA
Sara ishte një adoleshente si shumica: e dhënë pas ushqimit dhe të ëmblave. Por, në prag të 18-vjetorit, duket se trashëgimtarja e Top Media nuk ishte e kënaqur me pamjen e saj. Ajo arriti të eleminonte disa kilogramë të tepërt në mënyrë graduale, për t’iu drejtuar më pas një tjetër metode. Ishte sakrificë për hir të fizikut dhe Sara e realizoi. Ajo ndërmorri përsipër një operacion ‘Gastric Bypass’, gjë për të cilën ka thënë se nëse do të kthehej pas, nuk do ta bënte më dhe një herë. Megjithatë, format fizike të Sarës tashmë janë për t’u admiruar, madje dhe pas lindjes së London, Hoxha nuk ‘luftoi’ shumë me peshën. Tashmë, ajo shpesh merret si pikë referimi për veshjet, kombinimet dhe fjalën e fundit të modës.
HYGERTA SAKO
Ish-miss-i shqiptar, prej vitesh prezantuese e emisionit sportiv në TVSH. Siç dhe mund të kuptohet, fillimisht Hygerta kishte forma fizike ideale. Por, kjo nuk zgjati shumë, pasi lindja ndikoi në shtimin në peshë. Sako u shfaq në ekran për një kohë të gjatë me disa kilograme të tepërta mbi supe, peshë të cilën filloi ta reduktonte gradualisht, deri sa të arrinte në imazhin që të gjithë njohim sot. Peshë normale, trup i rregullt, kaq i mjaftojnë Hygertës për të vazhduar e qetë rrugëtimin në televizion. Pas një kohe të gjatë, duket se moderatorja është lodhur me pamjen e vjetër, duke i dhuruar vetes një fizik ndryshe.
RUDINA DEMBACAJ
Nëse Rudina ju jep përshtypjen e një vajze ‘thatanike’, kjo vjen si pasojë e asaj çka kemi parë më së shumti në ekran. Por, Dembacaj dikur peshonte plot 89 kilogramë!!! Një peshë e tillë ka qenë e tepërt edhe për vetë aktoren, e cila ka ndërmarrë iniciativën për të arritur në formën ideale. Rudina ka rrëfyer se ndryshe nga shumë vajza, ajo nuk është këshilluar me ndonjë dietolog në veçanti, duke e zgjidhur vetë problemin. Në një intervistë, Dembacaj është shprehur se ‘i ka vënë gishtin kokës’ dhe kështu ka filluar të konsumojë vetëm ushqime të shendetshme, si dhe të largohet nga përdorimi i alkoolit, që e konsumonte nën shoqërinë e xhaxhait të saj. Tani, edhe pas lindjes së Viktorias, Rudina është më në top-formë se kurrë!
ELHAIDA DANI
Mund ta quanim vërtetë një femër të kolme. Me pak shëndet të tepërt, Elhaida nuk ishte e njejta me vajzën që shohim tani, kur u prezantua në ‘Voice of Italy’. Pak më e mbushur dhe me disa kilogramë të tepërt, Dani e ka parë të arsyeshme të arrijë një peshë më të justifikueshme për moshën e saj. Sot, këngëtarja ka krijuar imazhin perfekt të trupit, duke i eleminuar ato pak kilogramë të tepërta që mbartte mbi supe. Prezantimet e saj në festivalet e fundit kanë qenë krejt ndryshe nga se jemi mësuar ta shohim Elhaidën më parë, ndërsa vërehet dukshëm transformimi, por edhe vullneti i Elhaidës për t’i shërbyer trupit në maksimum. / Bordo.al